Tahiri: Po cenohet Kushtetuta, Vetëvendosje po e mban vendin në krizë politike
Foto: Laura Hasani

Tahiri: Po cenohet Kushtetuta, Vetëvendosje po e mban vendin në krizë politike

Aktuale August 08, 2026 - 12:39

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka kritikuar ashpër situatën e krijuar në Kuvendin e Kosovës, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar sërish kohë shtesë për konstituimin e Kuvendit.

Tahiri ka thënë se ajo që po ndodh në Kuvend përbën, sipas tij, cenim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe shmangie të përgjegjësisë institucionale.

“Nga abuzimi që është duke u bërë sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pra, po shohim skena ku pa çfarëdo mbulese na abuzojnë, me të shpërdoruar, me të cenuar çdo procedurë. Nuk është ditë e mirë, nuk ka qenë as mbrëmshmja sot e mirë, për shkak se në mënyrë direkte po cenohet Kushtetuta.”

Sipas Tahirit, Vetëvendosje ka të drejtën që, bazuar në rezultatin zgjedhor, të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe të mundësojë funksionalizimin e institucioneve. Megjithatë, ai ka akuzuar partinë e Kurtit se po refuzon ta bëjë një gjë të tillë dhe se po e mban vendin në krizë politike.

“Ne e dijmë që Lëvizja Vetëvendosje e ka të drejtën, e ka të drejtën me i pas shumicën e votave, që me i zgjedh kryetarin e Kuvendit dhe me e funksionalizu Kuvendin. Mirëpo po shohim se refuzojnë me propozu emër, refuzojnë me e funksionalizu Kuvendin dhe preferojnë që në vazhdimësi me prodhu krizë politike.”

Tahiri ka thënë se qytetarët e Kosovës kanë votuar për institucione funksionale dhe për përgjegjësi politike, duke vlerësuar se zvarritja e konstituimit të Kuvendit është në kundërshtim me këtë vullnet.

“Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë votuar për me pas funksionalizim të Kuvendit dhe institucioneve, për me pas qeverisje, dhe me pas përgjegjësi prej neve për institucionet, po edhe për secilin qytetar.”

Deputeti i zgjedhur i PDK-së ka deklaruar se situata në Kuvend përbën, sipas tij, “ikje nga përgjegjësia”, ndërsa ka lidhur krizën institucionale edhe me problemet ekonomike dhe sociale me të cilat përballen qytetarët.

“Pra, kjo që po e shohim që po ndodh në Kuvendin e Republikës së Kosovës është tërësisht ikje nga përgjegjësia dhe shmangie e marrjes së përgjegjësisë. Ndërsa në anën tjetër është papërgjegjësi për jetën e qytetarëve, për shkak se qytetarët e Republikës së Kosovës, siç e dini, janë duke u përballur me kosto të lartë të jetesës, me sfidat e ndryshme. Në vend që me pas projekte e punë me thellësi, me politika me thellësi e kuptim në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, po e shohim që një njeri që e ka numrin më të madh të votave, tash e 18 muaj po e mban në vazhdimësi një krizë e bllokadë politike, ndërsa në anën tjetër nuk i përgjigjet asnjë kërkese dhe nuk e mbështet asnjë zgjidhje për Republikën e Kosovës.”

Tahiri ka vlerësuar se PDK-ja ka treguar gatishmëri për të kontribuar në zhbllokimin e situatës institucionale, duke theksuar se partia e tij, pavarësisht situatës, ka marrë pjesë në seancë.

“Është për keqardhje. Partia Demokratike e Kosovës ka pasur qasje konstruktive, ka pasur gatishmëri, ka pasur energji, dhe si rezultat i kësaj energjie tonë e i seriozitetit tonë që e kemi për institucionet e për vendin, kemi qenë sot prapë në seancë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që me i mundësu me u funksionalizu edhe marrëveshjet ndërkombëtare”, shtoi Tahiri.