Politikani ukrainas kritikon Zelenskyn për Kosovën: Ndihem i neveritur dhe i turpëruar, i dhamë shuplakë një shteti mik
Deklaratat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë vizitës së tij në Beograd, se Ukraina vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, kanë nxitur reagime edhe në Ukrainë.
Kundër qëndrimit të Zelenskyt ka reaguar politikani ukrainas Yuriy Hudymenko, lider i lëvizjes “Sëpata demokratike”, i cili ka kritikuar publikisht presidentin për deklaratën e tij në Serbi.
Hudymenko ka thënë se Kosova ka treguar solidaritet me Ukrainën që nga fillimi i luftës së Rusisë, duke ndihmuar ukrainasit në forma të ndryshme.
“Duket sikur, para udhëtimit në Serbi, presidenti Zelensky duhej të zgjidhte mes ‘të lehtës dhe imorales’ dhe ‘të vështirës, por të drejtës’, dhe ai bëri zgjedhjen për të cilën unë, si qytetar, ndihem i neveritur dhe i turpëruar”, shkroi Hudymenko.
Ai ka theksuar se, pavarësisht se Kosova nuk ka ushtri të rregullt, qytetarë dhe veteranë kosovarë kanë ofruar mbështetje për Ukrainën.
“Veteranët e Kosovës kanë komunikuar me veteranët tanë dhe i kanë ndihmuar. Qytetarët e zakonshëm të Kosovës kanë ndihmuar refugjatët dhe personat e zhvendosur”, shkroi ai.
Sipas Hudymenkos, qëndrimi i shprehur nga presidenti ukrainas në Beograd është në kontrast me këtë solidaritet.
“Ndërsa ne – përmes presidentit – u pështymë në fytyrë, duke deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë, ‘vëllait të vogël të Rusisë’”, shkroi politikani ukrainas.
Hudymenko u ka bërë thirrje qytetarëve dhe miqve të tij në Kosovë që të bëjnë dallimin mes deklaratave të presidentit ukrainas dhe qëndrimit të shoqërisë ukrainase në tërësi.
“Shpresoj që miqtë e mi nga Kosova ta kuptojnë se fjalët e presidentit nuk janë gjithmonë mendimi i gjithë vendit”, shkroi mes të tjerash ai.
Reagimi i Hudymenkos vjen pas deklaratave të Zelenskyt në Beograd, ku presidenti ukrainas përsëriti qëndrimin e Ukrainës për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës.