Kurti takohet me senatoren Ernst, kërkon prezencë të përhershme ushtarake në Bondsteel

Kurti takohet me senatoren Ernst, kërkon prezencë të përhershme ushtarake në Bondsteel

Aktuale August 11, 2026 - 17:03

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot në takim senatoren amerikane, Joni Ernst.

Kurti tha se senatorja Ernst është një nga miket e mëdha të Kosovës dhe ndër avokueset më të zëshme në SHBA-së, të cilën tha se e falënderoi për mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në thellimin e partneritetit midis dy vendeve tona.

Në takim, Kurti tha se është biseduar për, siç thotë, “progresin e dukshëm që Kosova ka shënuar në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e situatës së brendshme të sigurisë”.

Po ashtu, kryeministri në detyrë i ka thënë senatores amerikane se kampi Bondsteel duhet të mbetet përgjithmonë në Kosovë.

“Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në prezencë të përhershme ushtarake në Republikën tonë. Një prezencë e tillë do të shërbente si garantuese për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon, si dhe një bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore”, tha Kurti në një postim në Facebook.

Po ashtu, kryeministri në detyrë tha se kanë biseduar edhe për situatën politike në vend dhe për rëndësinë e vazhdimit të diskutimeve me partitë politike parlamentare për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve.