Ramadani: Vakuumi institucional po rrezikon Kosovën, LVV-ja duhet ta funksionalizojë Kuvendin
Foto: Laura Hasani

Ramadani: Vakuumi institucional po rrezikon Kosovën, LVV-ja duhet ta funksionalizojë Kuvendin

Aktuale August 14, 2026 - 11:37

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje që t’i japë fund vakuumit institucional dhe të mundësojë funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.

Ramadani, në një konferencë për media nga foltorja e Kuvendit, tha se është “totalisht e paimagjinueshme” që vakumi institucional të mos trajtohet si çështje e sigurisë kombëtare.

“Ajo që e besoj dhe që e kemi shqetësim të gjithë është fakti se Kosova dhe Kuvendi duhet të jenë funksionalë. Për shembull, edhe kërcënimin me rrjedhjen e Ibër-Lepencit, sepse nuk ka kush e trajton. Edhe për çmimet e larta”, tha ai.

Ramadani theksoi se AAK-ja nuk e konteston fitoren e LVV-së në zgjedhjet e qershorit, por sipas tij, situatën politike po e konteston vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Askush nuk po ia konteston fitoren e qershorit. Bindja jonë është që ajo do të jetë fitorja e fundit. Nuk po i kontestojmë në asnjë gjë, është vetë Kurti që po konteston”, u shpreh Ramadani.

Ai akuzoi pushtetin se po shmang përgjegjësitë dhe paralajmëroi se AAK-ja nuk do të lejojë që vendi të mbetet në vakum institucional.

“Gjithçka që po bëjnë është që po ikin nga përgjegjësitë. Këtë nuk do ta lejojmë. E kemi për obligim që të mos e lejojmë Kosovën të futet në vakum institucional”, deklaroi ai.

Ramadani shtoi se, nëse pas situatës aktuale fshihen qëllime të tjera, “do ta shohim”, duke e cilësuar funksionalizimin e institucioneve si çështje thelbësore për funksionimin dhe sigurinë e vendit.

Image