Haxhiu: Kurti do të takohet sërish me LDK-në për çështjen e presidentit
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: Kurti do të takohet sërish me LDK-në për çështjen e presidentit

Aktuale August 18, 2026 - 10:32

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojë gjatë ditëve në vijim një tjetër takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Pas takimit konsultativ me liderët e partive politike, Haxhiu tha se subjektet politike duhet të ulen dhe të diskutojnë konkretisht për çështjen e zgjedhjes së Presidentit, duke propozuar që diskutimi të nisë me emra për një kandidat konsensual.

“Partitë të ulen dhe të flasin për çështjen e presidentit. Kemi një qëndrim të LDK-së për president, pra le të fillojmë të flasim me emra për një kandidat konsensual, për një kandidat që nuk është në parti politike”, tha Haxhiu.

Ajo përsëriti se Kurti ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje nuk dëshiron që Presidenti i ardhshëm të jetë nga radhët e saj.

“Kurti e përmendi që nuk duan që presidenti të jetë nga radhët e VV-së, sepse ka pasur diskutime që VV po insistion të jetë nga radhët e tyre. Pra, edhe LVV thekson që janë për një president konsensual”, u shpreh Haxhiu.

Sipas saj, takimet ndërmjet partive politike duhet të vazhdojnë sa më shpejt, ndërsa ajo konfirmoi se Kurti ka paralajmëruar një takim të ri me LDK-në.

“Uroj që takimet me partitë të vazhdojnë dhe ato të ndodhin shumë shpejt. Pra, sipas njoftimit që Kurti na tha, me LDK do të ketë një takim shumë shpejt. Uroj që këtyre takimeve t’iu bashkohen edhe partitë e tjera politike”, tha Haxhiu.