Kurti: Autostrada Shkup – Bllacë do ta forcojë lidhjen mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Kurti: Autostrada Shkup – Bllacë do ta forcojë lidhjen mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Aktuale August 26, 2026 - 15:06

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë të mërkurën në Shkup në fillimin e punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup - Bllacë, projekt që synon forcimin e lidhjes infrastrukturore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Kurti tha se rëndësia e projektit shkon përtej infrastrukturës, pasi sipas tij, autostrada do të shkurtojë distancën, do të lehtësojë lëvizjen dhe do të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi për qytetarët dhe bizneset e të dyja vendeve.

“Ne jemi dy shtete që kanë qarkullim të lartë të qytetarëve në të dyja anët e kufirit. Familjet, studentët, punëtorët, profesionistët dhe bizneset tona lëvizin çdo ditë mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Kurti.

Ai theksoi se vetëm përmes pikës doganore në Han të Elezit kalojnë rreth 54 mijë maune në vit, ose rreth 150 në ditë.

“Prandaj, çdo kilometër i ri rrugë që na afron është investim në jetën e qytetarëve tanë dhe në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Kjo autostradë do ta bëjë këtë qarkullim më të shpejtë, më të sigurt e më efikas”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, projekti do t’u mundësojë bizneseve të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut të lëvizin më lehtë mallrat, të zgjerojnë tregjet dhe të krijojnë partneritete të reja.

Kurti e cilësoi autostradën si projekt me rëndësi strategjike, duke theksuar se ajo është pjesë e rrjetit evropian TEN-T dhe e lidhjes që përmes Kosovës afron Shkupin me Prishtinën dhe më tej me rrjetet dhe tregjet evropiane.

Autostrada Shkup - Bllacë do të përfshijë pesë tunele, tetë ura dhe katër galeri.

Kryeministri në detyrë përmendi edhe projekte të tjera infrastrukturore që synojnë lidhjen e dy vendeve, duke përfshirë Linjën 10 hekurudhore dhe projektin Prizren - Tetovë përmes tunelit.

“Këto projekte janë ura gjigante të zhvillimit, të bashkëpunimit dhe të afrimit mes qytetarëve tanë”, tha Kurti.

Në ceremoninë e fillimit të punimeve morën pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, kryeministri Hristijan Mickoski, zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski, si dhe ministri i Infrastrukturës dhe Transportit i Kosovës, Dimal Basha, së bashku me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe BERZH-it. /Zëri