Të mërkurën do të vazhdojë seanca konstituive, mbeten të pasigurta votat për presidentin
Pas disa takimeve mes LVV-së dhe LDK-së, më 31 gusht u arrit marrëveshja për presidentin, me Bekim Sejdiun si kandidat të përbashkët. Por marrëveshja u kundërshtua nga gjashtë deputetë të LDK-së, të cilët thanë se nuk do ta votojnë. Të mërkurën pritet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit.
Takimet i patën të vazhdueshme. Gjithçka drejt një marrëveshjeje për president.
E pas disa herëve bashkëbisedim mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të parit të Lidhjes Demokratike të Kosovës u arrit një marrëveshje për një kandidat konsensual për president.
Në takimin e fundit të mbajtur më 31 gusht këta të fundit dolën para medieve edhe me një person të tretë krah tyre.
Bekim Sejdiu u propozua për president. Marrëveshja mes Kurtit e Abdixhikut dukej se i dha fund një pjese të ngërçit.
Por vetëm për pak. Sepse pas marrëveshjes nisën kundërshtimet.
Gjashtë deputetë të LDK-së thanë se nuk do ta votojnë Sejdiun. Mes tyre pati edhe deputetë që e kritikuan publikisht marrëveshjen.
Kështu, ajo që u arrit mes dy liderëve nuk mori mbështetjen e të gjithë deputetëve të LDK-së.
Për këtë çështje pati reagime edhe nga kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai vazhdoi ta mbështesë marrëveshjen e arritur me Kurtin.
Por, kundërshtimet nuk u ndalën me kaq. Edhe në ditët në vazhdim pati deklarata të deputetëve të LDK-së.
Në anën tjetër, nga LVV-ja vazhduan të kërkojnë zbatimin e marrëveshjes.
Por, kundër kandidaturës së Sejdiut nuk doli vetëm një pjesë e LDK-së. Edhe PDK-ja e kundërshtoi atë.
Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, tha se deputetët e PDK-së nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president. Ndërkohë, PDK-ja dhe Aleanca vazhduan të kërkojnë konstituimin e Kuvendit.
Pothuajse çdo 48 orë, përfaqësuesit e tyre shkuan në Kuvend. E nga aty kërkuan që kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ta thërrasë seancën konstituive.
Seanca e nisur më herët ka mbetur pa u përmbyllur. E të mërkurën, më 9 shtator, pritet të mbahet vazhdimi i seancës konstituive.
Aty do të shihet nëse kuvendi do të konstituohet rrjedhimisht mbeten për t’u parë edhe efektet e marrëveshjes së 31 gushtit. /teve1