Ulutash: Rruga drejt stabilitetit të qëndrueshëm është politike, jo ushtarake
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka deklaruar se stabiliteti afatgjatë në Kosovë dhe në rajon nuk mund të arrihet vetëm përmes pranisë ushtarake, por kërkon zgjidhje politike.
Ulutashi theksoi se KFOR-i vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm në aspektin ushtarak, por se rruga drejt stabilitetit të qëndrueshëm është politike.
“Më lejoni të shtoj se, ndërsa KFOR-i vazhdon të ofrojë kontribute të rëndësishme ushtarake, rruga drejt stabilitetit të qëndrueshëm është politike, jo ushtarake”, deklaroi Ulutashi.
Ai bëri të ditur se NATO-ja vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
“Prandaj, NATO-ja vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve”, tha komandanti i KFOR-it për Telegrafin.
Dialogu i lehtësuar nga BE-ja synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa NATO vazhdon të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirë për lëvizje në Kosovë.
Ndryshe, procesi i dialogut ka muaj që nuk ka shënuar përparim, ndërkohë që Kosova është përballur me zgjedhje dhe bllokadë institucionale, kurse Serbia së shpejti pritet të mbajë zgjedhje të reja parlamentare.
Ulutashi, i cili vjen nga Turqia, po shërben për herë të dytë në krye të KFOR-it. Pas përfundimit të mandatit, atë pritet ta pasojë gjeneralmajori italian Roberto Vergori.