Vendimi për ish-krerët e UÇK-së, Ambasada e SHBA-së paralajmëron protesta të mëdha në Kosovë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka dalë me një reagim, lidhur me paralajmërimet për demonstrata më 16 shtator, në ditën kur do të shpallet aktgjykimi në Hagë ndaj katërshes së UÇK-së.
Sipas njoftimit, Ambasada Amerikane kërkon që të shmangen zonat ku është paralajmëruar të zhvillohen demonstrata dhe kërkon që të ketë kujdes nëse dikush gjendet pranë grumbullimeve të mëdha.
“Disa organizata po planifikojnë demonstrata të mëdha për të mërkurën, më 16 shtator, në qendër të Prishtinës dhe në qytete të tjera të mëdha të Kosovës. Këto demonstrata mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha njerëzish, mbyllje rrugësh dhe pengesa të rënda në trafik. Këshillohet të kufizoni lëvizjet në zonën përreth vendbanimit tuaj dhe të shmangni udhëtimin drejt vendit të punës apo shkollës nëse rruga juaj kalon përmes zonave të prekura, pasi mund të mos arrini ta përfundoni udhëtimin në kohë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, personeli i qeverisë së SHBA-së është këshilluar t'i shmangë të gjitha udhëtimet e panevojshme në afërsi të demonstratave dhe të mos i dërgojë fëmijët në shkollë më 16 shtator, për shkak të mundësisë së pengesave në trafik.
“Ambasada e SHBA-së do të jetë e hapur dhe do të ofrohen shërbime të kufizuara konsullore sipas nevojës”, thuhet në njoftim.