UÇK-ja jashtë kurrikulës së shkollave të Kosovës, Ahmeti: Në mbi 2600 faqe askund s'përmendet
Foto: Laura Hasani

UÇK-ja jashtë kurrikulës së shkollave të Kosovës, Ahmeti: Në mbi 2600 faqe askund s'përmendet

Aktuale September 19, 2026 - 11:44

Agon Ahmeti nga organizata ETEA ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si trajtohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës në kurrikulat e arsimit parauniversitar në Kosovë.

Ahmeti thotë se ka analizuar 16 dokumente kurrikulare, përfshirë Kornizën Kurrikulare, kurrikulat bërthamë për tri nivelet e arsimit parauniversitar dhe 12 kurrikula lëndore për klasat I-XII.

Sipas tij, dokumentet përmbajnë më shumë se 2,600 faqe, por në asnjërin prej tyre nuk ka gjetur emrin e plotë apo shkurtesën “UÇK”.

“Gjithsej 489 rezultate të të nxënit në lëndën e historisë – asnjë prej tyre nuk i dedikohet specifikisht UÇK-së!”, ka shkruar Ahmeti, transmeton Zeri.info

Ai thotë se nga 489 rezultatet e të nxënit në lëndën e historisë, vetëm tri prej tyre prekin luftën çlirimtare, por pa kërkuar në mënyrë specifike njohjen e UÇK-së apo figurave kryesore të saj.

Ahmeti e ka ngritur këtë çështje pas vendimeve të fundit të Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, e cila kërkoi që ora e parë e mësimit t’i kushtohej UÇK-së, ndërsa më pas kërkoi edhe vendosjen e flamurit të UÇK-së në hyrje të shkollave publike.

Sipas tij, këto iniciativa janë pozitive, por shtrohet pyetja se pse trajtimi i UÇK-së në shkolla duhet të bëhet përmes vendimeve administrative të momentit.

“Por, nëse UÇK-ja konsiderohet pjesë kaq e rëndësishme e historisë së Kosovës, pse njohja e saj në shkollë duhet të bëhet me vendime administrative të momentit/ad hoc? Çka nëse nesër vjen në pushtet një qeverisje që nuk i pëlqen me fol për luftën?”, ka shkruar Ahmeti.

Ai thekson se çështja nuk është që UÇK-ja të përmendet në çdo klasë, por mënyra dhe niveli në të cilin trajtohet periudha e luftës së fundit në Kosovë kur kurrikula arrin te historia bashkëkohore.

“Kurrikula është baza mbi të cilën ndërtohen programet mësimore, tekstet shkollore dhe ligjëratat e mësimdhënësve. Me fjalë të tjera, kurrikula është krejt ajo që duhet të ndodhë dhe mësohet në klasë”, ka deklaruar ai.

Ahmeti e ka përmbledhur analizën me konstatimin: “Nga 489 rezultate në histori – asnjë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!”./Zëri