Presidenti Rugova ‘një mik i vërtetë i Amerikës’

Aktuale January 21, 2016 - 09:08

“Kam pasur nder ta mbështesë luftën e tij dhe të popullit të Kosovës për paqe dhe liri," deklaroi Bill Clinton me rastin e vdekjes se presidentit Rugova.

Ish presidenti i Kosoves, dr. Ibrahim Rugova, do të kujtohet nga udhëtimet e para në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si njeri i paqes, një letrar e studiues, i cili vizitën e tij të parë politike jashtë Kosovës e bëri pikërisht në Washington. 

Në qarqet politike amerikane kjo ishte edhe një vizitë njohëse dhe afirmuese njëkohësisht, që e realizoi me delegacionin e Kosoves në prill të vitit 1990.

Dëshmia e dr. Rugovës në Kongresin Amerikan, do ta etabloi emrin e tij dhe fitoi admirimin si një udhëheqës paqësor dhe largëpamës, ndërkaq Rugova do ta theksonte gjithnjë afërsinë dhe mirëkuptimin për Kosovën nga politika amerikane si nga asnjë vend tjetër në botë. 

Kjo vizitë dhe të tjerat që pasuan, do ta regjistronin edhe vetë Kosovën në hartën politike si një cështje të cilën Washingtoni do të duhej ta kishte në përcaktimet dhe planet vepruese diplomatike në Ballkan.

Gjatë viteve të nëntëdhjeta, dr. Rugova do të realizonte dhjetëra takime me kongresistë e senatorë, me udhëheqës të administrates, me kryediplomatët e deri edhe me vet presidentin për t’i bindur ata se kauza e popullit të Kosovës për pavarësi ishte e drejtë.

Me rastin e vdekjes, Qeveria Amerikane deklaronte se ‘Presidenti Rugova e fitoi admirimin e popullit amerikan përmes veprimeve të tij paqësore dhe ishte një udhëheqës që punoi me përkushtim vetëmohues për kauzën e Kosovës.’ Presidentët George Bush dhe Bill Clinton e vlerësuan presidentin Rugova ‘një mik të vërtetë të Amerikës’

“Kam pasur nder ta mbështesë luftën e tij dhe të popullit të Kosovës për paqe dhe liri,” deklaronte ish presidenti Clinton.

“E kam dashur dhe e kam admiruar shumë Dr. Rugovën.  Rezistenca e tij e padhunshme ndaj shtypjes e inspiroi botën.’

Ish senatori Bob Dole në një deklaratë të tij paralajmëronte pavarësinë duke thënë se ‘presidenti Rugova është bërë tashmë “njeriu i epokave” dhe se ëndrrat e tij për Kosovën do të realizohen.’ Njohësit e rrethanave të atëhershme theksonin se përkundër disa lëkundjeve që ekzistonin ndaj Rugovës, ai megjithatë mbeti një forcë bashkuese për shqiptarët e Kosovës. /RTK/