Integrimi i Ballkanit, Mogherini: Janë vlerë e shtuar

Aktuale February 06, 2016 - 22:49

Takimi i formatit “Gymnich” është një mbledhje jozyrtare, ku 28 ministrat evropianë bisedojnë hapur, pa praninë e diplomatëve dhe këshilltarëve respektivë, për çështjet kyçe të politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE.

Johannes Hahn, komisioner i BE për Fqinjësinë e mirë dhe Negociatat e Anëtarësimit, në këtë takim, tha se pa forcuar kufijtë tonë të jashtëm, pa treguar se jemi në gjendje të kontrollojmë kufirin tonë të jashtëm, “gjithmonë do të hasim probleme brenda Evropës”.

Kriza e refugjatëve dhe pasojat për sigurinë e BE-së ishin në fokus të tryezës së Amsterdamit, ku Presidenca holandeze mblodhi ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare dhe kandidate të BE-së, raporton Tch.

Ata u pajtuan se bashkëpunimi i përforcuar i muajve të fundit me vendet e Ballkanit dhe Turqinë duhet shfrytëzuar për konsolidimin e reformave integruese dhe avancimin e tyre drejt BE-së.

“Integrimi evropian i këtyre vendeve, sidomos të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Mal i Zi, Serbia, Maqedonia), por edhe Turqia, kanë një vlerë të shtuar më vete, sepse ne kemi nevojë për politika të përbashkëta dhe instrumente të përbashkët për të përballuar dhe menaxhuar një fenomen që na përket të gjithëve”, deklaroi Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë e BE-së.

Kjo shënon mbledhjen e parë të këtij formati për këtë vit. E njëjta temë shoqëroi dhe dy takimet informale të 2015-s.