ICK e Universiteti i Prishtinës bashkojnë forcat

Auto&Tech January 25, 2017 - 22:19

Innovation Centre Kosovo (ICK) tashmë do të shërbejë si Inkubator i Biznesit dhe Qendër e Inovacionit edhe për Universitetin e Prishtinës (UP). Synim kryesor i kësaj marrëveshje është ngritja profesionale e studentëve të UP-së në programet dhe aktivitetet e ICK-së. Por, edhe kjo e fundit duke përfituar nga asetet intelektuale dhe profesionale të universitetit.

“Qëllimi i marrëveshjes është zhvillimi i inovacionit dhe ndërmarrësisë, si rezultat i bashkëpunimit tonë. Ndihma që do të marrin studentët e UP-së është në ndërmarrësi, inovacion, aftësim profesional në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit”, është thënë nga Uranik Begu, drejtor ekzekutiv i ICK-së.

Në anën tjetër marrëveshja po ashtu ka për qëllim ofrimin e ndihmës akademike, logjistike dhe profesionale nga ana e Universitetit të Prishtinës për të gjithë të rinjtë pjesëmarrës në programin e inkubimit, trajnimit, eventeve dhe garave në Innovation Centre Kosovo (ICK), ​ndërlidhjen e studentëve me tregun e punës si dhe zhvillimin e hulumtimeve shkencore.

Aktivitetet dhe projektet e përbashkëta të kësaj marrëveshjeje do të lansohen së shpejti dhe do të jenë të hapura për të gjithë studentët dhe të rinjtë nga Kosova.

Marrëveshja për bashkëpunimit në mes të UP-së dhe Qendrës së Inovacionit të Kosovës u nënshkrua nga rektori i UP-së Prof. Dr. Marjan Dema dhe drejtori ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begu.