Turqia: Ne bëmë tonën për emigrantët, tani radhën e ka BE'ja për vizat

Bota September 07, 2016 - 23:35

Ministri turk për Çështjet e Bashkimit Evropian dhe kryenegociatori Omer Çelik, lidhur me marrëveshjen e arritur me BE-në dhe liberalizimin e vizave tha se ”Turqia e ka bërë atë që kishte marrë përsipër dhe tani është radha e Bashkimit Evropian që ta bëjë hapin e ardhshëm”.

Në një konferencë shtypi, pas takimeve zyrtare dyditore në Lisbonë, Çelik u shpreh se ”Turqia ka bërë atë që nuk e ka bërë askush. Turqia, pa marrë asnjë ndihmë nga bota, ka mirëpritur tre milionë refugjatë, në të njëjtën kohë ka luftuar kundër terrorizmit”.

”Rrjedhimisht, tani është radha e BE-së që ta bëjë hapin e ardhshëm”, theksoi ai.

”Ne u qëndrojmë kornizave të marrëveshjes së 18 marsit. Megjithatë, nevojiten mekanizma të reja. Liberalizimin e vizave e shohim si temë kyçe. Nëse nuk realizohet kjo, atëherë marrëveshjet nuk do të jenë funksionale”, shtoi Çelik, transmeton atsh.

Ai tha se Evropa po përballet me një krizë të madhe migrimi që në histori njihet si migrimi i fiseve dhe se deri tani Turqia e ka mbrojtur Evropën nga kjo krizë e madhe.