Dëshmitari nga New Yorku flet 15 vjet pas sulmit (Video)

Bota September 11, 2016 - 22:58

Për Dr. Bruce Powers, 11 shtatori zgjon kujtime të forta mbi sulmin terrorist të vitit 2001 në Pentagon.

Dr. Powers, aktualisht profesor në Departamentin e Shkencave Politike të Universitetit George Washington, ishte në atë kohë analist për politikat e mbrojtjes në Pentagon kur Shtetet e Bashkuara u bënë objektiv i sulmit më të rëndë terrorist ndaj vendit.

Në një bisedë për Zërin e Amerikës, Dr. Powers kujton zhvillimet e asaj dite dhe flet për mënyrën që ka zgjedhur për të nderuar kolegët që humbën jetën dhe për t’i dhënë kuptim asaj dite.

Çdo 11 shtator, Dr. Bruce Powers ndjek një ritual të përvitshëm të krijuar gjatë 15 vjetëve të fundit.

“Eci më këmbë nga Pentagoni për në shtëpi, ashtu siç eca për herë të parë kur ndodhi sulmi, pasi atë ditë u pezullua lëvizja e autobusëve dhe metrove në Uashington”, thotë ai.

Ashtu si dhjetëra mijëra të tjerë në Uashington dhe Nju Jork, Dr. Powers mbeti i bllokuar pa mundësi transporti, pasi metrotë dhe autobusët u pezulluan menjëherë pas sulmit.

Ai kishte ardhur në punë me autobus, si zakonisht, duke filluar një ditë të zakonshme si analist i mbrojtjes në Pentagon. Por, shumë shpejt dita filloi të merrte një atmosferë ogurzezë, kur dy kullat binjake në Nju Jork u goditën nga avionët.

“Në Pentagon u dëgjua një zhurmë shumë e fortë, sikur të kishte kërcitur pranë meje skapamentoja e një kamioni. Ndërtesa u trondit paksa. Pentagoni është i ndërtuar prej betoni, prandaj nuk tronditet shumë. E kuptova menjëherë çfarë po ndodhte sepse kisha ndjekur ngjarjet në Nju Jork... Filloi evakuimi; mijëra punonjës filluan të dalin me shpejtësi. Nuk pati panik. Pashë ndonjë që qante, por askush nuk po vraponte, askush nuk shtynte, ishte një zbrazje e ndërtesës me shumë rregull”, rrëfen zoti Powers.

Ai kujton se doli në oborrin e brendshëm të Pentagonit, ku njerëzit ishin mbledhur e po shkëmbenin informacione dhe po përpiqeshin të gjenin kolegët. Bruce Powers zbuloi me kalimin e ditëve se disa miq të tij, banorë të zonës së Uashingtonit, kishin vdekur pasi ishin në avionin që goditi Pentagonin.

“Miq të mi, 10 të njohur që u vranë më 11 shtator, të gjithë u vranë kur avioni goditi Pentagonin. Qendra e Zbulimeve për Marinën Ushtarake i kishte zyrat në pjesën e ndërtesës që u godit. Unë kam punuar si civil për marinën ushtarake dhe kisha shumë miq atje. Në fakt, një shok qëlloi rastësisht të ishte në ato zyra; ai ishte në vend të keq në kohë të keqe... Ishte punë fati. Në rastin e tij, ishte fati i keq”.

Në këtë 15 vjetor të sulmeve, ai kujton miqtë dhe kolegët që humbi atë ditë. 125 vetë gjetën vdekjen nga sulmi ndaj Pentagonit. Por, kjo tragjedi do të kishte qenë shumë më e madhe nëse fati nuk do të kishte ndërhyrë për të shpëtuar mijëra jetë të tjera.

“Pjesa e ndërtesës që u godit ishte thuajse bosh, kishte shumë pak punonjës, pasi po bëheshin punime për të vënë fibra të reja optike dhe për të ndërruar rrjetin elektrik. Pra avioni goditi një segment të Pentagonit ku nuk kishte thuajse aspak njerëz. Po të ishte goditur ndonjë pjesë tjetër e ndërtesës, mund të kishin humbur mijëra jetë, pasi Pentagoni është një ndërtesë me dendësi të lartë punonjësish”, thotë ai.

Vetë Dr. Powers ishte ndër ata që e mbrojti fati.

“Shtatë javë para sulmit e kisha zyrën në atë pjesë të ndërtesës. Pra nëse sulmi do të ishte realizuar shtatë javë më parë, nuk do të isha sot këtu për të treguar historinë time”, thotë ai.

Tani, ai e ndan atë histori me vizitorët në Memorialin e Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, ku punon si guidë turistike. Është një mënyrë që e ndihmon të mbajë gjallë kujtimet e asaj dite.

Këtë të dielë ai i përjeton kujtimet me ecjen e përvitshme për në shtëpi nga Pentagoni. Një nga nipat e tij e shoqëron çdo vit në këtë ecje. Është një traditë familjare që ai shpreson se nipat do të mbajnë gjallë edhe pasi ai të mos jetë më në gjendje ta përballojë rrugën.