Trump do ta bëjë më të drejtë Amerikën, thotë bashkëshortja e tij

Bota November 03, 2016 - 23:50

Në prezantimin e Melania Trumpit përpara njerëzve të mbledhur në tubimin elektoral në Filadelfia, Karen Pence, bashkëshortja e kandidatit republikan për zëvendëspresident Mike Pence, u tregua e përmbledhur dhe e drejtpërdrejtë.

“Unë e di që Amerika do ta dojë po aq shumë sa ç’e do ajo popullin amerikan”, tha ajo. E shoqja e manjatit, që kërkon çelësat e Shtëpisë së Bardhë si i nominuari i Partisë Republikane, premtoi të përmirësojë kulturën e medias sociale, nëse do të jetë Zonjë e Parë e vendit, sepse sipas saj është bërë tejet e ashpër dhe e ligë, sidomos me fëmijët e adoleshentët.

“Gjërat nuk janë asnjëherë mirë kur një vajzë apo një djalë 12-vjeçar përqeshet, tallet, sulmohet. Është e tmerrshme, kur ndodh në sheshin e tyre të lojërave. Është totalisht e papranueshme, kur bëhet nga dikush pa emër që fshihet pas internetit. Duhet të gjejmë një mënyrë më të mirë për të komunikuar me njëri-tjetrin”, tha Melania Trump.

Dialogun dhe respektin për tjetrin, Melania premton ta ketë në fokus.

“Unë vet jam emigrante dhe lejomëni t’iu them se, askush nuk i vlerëson më shumë se unë vlerat e lirisë e të mundësive të barabarta që të jep Amerika. Dashuria për këtë vend ishte ajo që ndava me Donaldin në momentin e takimit tonë. Ai e do Amerikën dhe e di sesi duhet vepruar drejt këtu, nuk merret thjesht me fjalë. Ai di si t’i shkundë gjërat”, tha Melania, transmeton tch.

Në muajin shtator, gjatë debatit të tyre të parë televiziv, Hillary Clinton i përmendi Donald Trumpit komentet fyese ndaj Miss Universit 1996, Alicia Machado, të cilën e quante “Miss derrkucja”.

Përgjigjja e tij ishte një tjetër sulm: pretendimet e një videoje kompromentuese të Machados...që në fakt nuk ekziston. Për Melania Trump, ky ishte i pari fjalim i rëndësishëm që prej atij të mbajtur në konventën kombëtare të Partisë Republikane, për të cilin u akuzua se kishte kopjuar një fjalim të Michelle Obamës.