Sondazhet pa fitues të qartë: Clinton e nisi me avantazh të thellë, por ndodhi rokada

Bota November 09, 2016 - 01:48
Rokada e pozicioneve në sondazhe ka shënjuar periudhën parazgjedhore në Shtetet e Bashkuara. Që në fillesat e fushatës, ndjekja e shifrave ishte pjesa më e ethshme e saj duke rrëmbyer, siç ndodh rëndom në vorbullën e numrave, vetë të nominuarit, pjesëtarë stafesh, simpatizantë e të lëkundur. Dhe suspansi nuk mungoi. Në krye, herë dilte njëri kandidat e herë tjetri, ndonëse në pjesën më të madhe të kohës, ishte Hillary Clinton ajo që e ktheu avantazhin në aset të vetin.

Pesë ditë përpara zgjedhjeve, demokratja numëronte 46.7 % të preferencave, kundërshtari i saj 45.1. Një epërsi tepër e ngushtë, e mbajtur me shumë zor. Vetëm një javë përpara kësaj, Hillary shijonte e qetë diferenca që shkonin deri në 12 pikë përqindjeje, hendek ky i ushqyer nga videoja me komente denigruese për femrat e rivalit Trump, dhe skandali i ngacmimeve seksuale që rritej si ortek me dëshmitë e femrave të indinjuara që vërshuan njëra pas tjetrës të kryqëzonin republikanin për veprimet, siç thuhet, të turpshme të tij. 

Por panorama ndryshoi kryekëput me ndërhyrjen e papritur të FBI-së dhe vendimin e James Comeyt për rinisjen e hetimeve mbi një çështje, që normalisht, konsiderohej e mbyllur e varrosur: Serveri privat i ish-Sekretares së Shtetit, dhe e-mail-et e dërguara nga aty. 

“Agjencia ka mësuar për ekzistencën e e-mail-eve që duket të kenë lidhje me hetimin. Hetuesit po shqyrtojnë materialet për të përcaktuar nëse ato përmbajnë informacione të klasifikuara dhe për të vlerësuar rëndësinë e tyre lidhur me hetimin e FBI-së”, deklaroi James Comey.

Lëvizja e Byrosë ishte një rrufe në qiell të hapur për Clintonin, e një dhurate për Trumpin. “Faleminderit Huma, -shpotiti ai ndihmësen e ngushtë të kundërshtares-, bërë punë të mirë”. 

E-mail-et e reja risollën në vëmendje atë që Clintoni e shpresonte të harruar. Ato u gjetën në laptopin e bashkëshortit të turpëruar publikisht të Huma Abedinit, Anthoni Weiner. Panorama ndryshoi krejtësisht. Batica e entuziazmit për demokratën që kërkon të hyjë në Shtëpinë e Bardhë këtë herë jo më si zonjë e parë, por si presidente, u tërhoq. 

Diferenca e saj me republikanin polemizues jo vetëm u tkurr, por sipas anketimit të “ABC News”/“Washington Post”, për herë të parë që nga muaji maj, kryesimin e mori Trump: 46 % për të, 45% për rivalen. Abisi me dy kandidatët e tjerë thellohet: Gary Johnson siguron vetëm 3 për qind, Jill Stein, 2%. Hillary e mori veten sërish, por pa mbërritur dot avantazhin e sigurt të shijuar prej kohësh. Për çdo rast, rezultatet ishin tejet afër. Ajo pika e avantazhit të Trumpit nuk lëvizte gjë të madhe në balancë, por shënoi të parën herë që ai arrinte përmbysjen e situatës që prej fundit të majit kur doli në krye me 2 për qind pas marrjes së nominimit nga Partia Republikane ndërkohë që Clinton vazhdonte duelin me Bernie Sanders. 

Sidoqoftë, sondazhet e realizuara disa ditë përpara zgjedhjeve nuk parashikojnë domosdoshmërisht rezultatin final. Në vitin 2012, Mitt Romney ishte 1 pikë për qindje përpara Barack Obamës e John Kerry po ashtu, një javë përpara se amerikanët të votonin në vitin 2004, figuronte përpara George Bushit po me një për qind. 

Trumpi, politikani jo tradicional, thotë se i vetmi anketim me rëndësi është ai i ditës së votimit. A mund të ndodhë që anketuesit të gabohen në parashikimet dhe përllogaritjet e tyre? Një mbështetës i fortë i republikanit i vuri përpara pak ditësh seriozisht në dyshim aftësitë e atyre që merren me sondazhet dhe argumentin më të fuqishëm, kishte eksperiencën e tij personale. 

Nigel Farage, një prej zërave kyç të fushatës për largimin e Britanisë nga BE-ja, kujtoi sesi vinin bast të gjithë që “Jo”-ja nuk do t`ia dilte mbanë në votimin plebishitar.
 
“Ditën e referendumit sondazhet na vendosnin deri në 10 pikë prapa, por ja që ne fituam. Anketuesit u gabuan sepse në votime dolën edhe një njerëz që përgjithësisht, kishin zgjedhur të mos bëheshin pjesë e procesit. Kompanitë moderne të sondazheve nuk arrijnë deri tek jovotuesit që zgjedhin të hyjnë sërish në sistem”, deklaroi Farage, ish-lider i UKIP dhe mbështetës i “Brexit”.
 
Në rastin e Trumpit, pyetja është a do të mundet republikani të ndikojë tek ky grup zgjedhësish aq sa t’i nxisë të hedhin votën e tyre më 8 nëntor. Përpjekjet për të mos gabuar janë të mëdha e në funksion të tyre, është vendosur një mekanizëm i qartë organizimi. Firma e kërkimit të sondazheve “SSRS” ka bashkëpunuar me televizionet “ABC”, “CBS”, me gazetën “New York Times” dhe organizata të tjera për të anketuar publikun amerikan për alternativat në zgjedhje. 

“SSRS” ka kryer për televizionin “ABC” mesatarisht një sondazh çdo javë, që nga gushti, për të matur mbështetjen për kandidatët presidencialë. Përzgjedhja e njerëzve që merren në telefon bëhet në mënyrë rastësore, e secilit prej të anketuarve i drejtohen të njëjtat pyetje. Çdo shmangie nga pyetja e bën të pavlefshme saktësinë e anketës. Për këtë arsye, transferimi i përgjigjeve në kompjuter është jetik për saktësinë. 

Duhet të jetë i dokumentuar fakti që janë anketuar 1mijë pjesëmarrës, sepse një numër i tillë, sipas të gjitha gjasave pasqyron të njëjtën përbërje demografike si popullsia amerikane. Rezultatet marrin në konsiderate një tolerancë gabimi prej 3%.