Zgjedhjet në SHBA: Dalin rezultatet e para, udhëheq Clinton

Bota November 09, 2016 - 02:11

Janë mbyllur votimet në disa shtete në Amerikën, ndërsa me rezultatet e dale deri në këto momente është Hillary Clinton kandidatja që udhëheq me 68 vota elektorale ndaj 48 të Donald Trump.

Mediat amerikane raportojnë se Trump ka fituar në Indiana, Kentucky, Virginia, Ohio, Georgia, Florida, North Carolina, ndërsa Clinton kryeson në Kolorado, Pensilvani, Nevada, Vermont, New Hampshire, Wisconsin.

Kandidatëve për t’u zgjedhur në krye të Shtëpisë së  Bardhë i duhet të sigurojnë 270 vota elektorale.

Amerikanët u bënë ballë radhëve të stërgjata te qendrat e votimit, teksa një numër i madh shtetasish shprehën vullnetin e tyre në zgjedhjet e së martës.

“U nervozuam nga pritja, megjithatë edhe takuam njerëz të mirë në radhë, çfarë bëri që të ecnim më shpejt. 30 minuta m’u desh të votoja, ama një orë e gjysmë që vota ime të skanohej. Mendoj se duhet të ishim përgatitur më mirë për këtë proces”, tha një qytetare.

“Nuk ishte dhe aq keq. Në rregull, e pranoj se duhet të prisje në radhë tepër të gjatë, por ia vlen pritja për këtë gjë”, tha një qytetar.

Me kalimin e orëve, tensioni për Shtëpinë e Bardhë rritet. Votat e minutës së fundit edhe mund të ndryshojnë rezultatin. Thirrjen për të mos ngurruar dhe për të votuar e përsëritën sërish Trump, Clinton, madje edhe presidenti Obama, që po shijon orët e fundit të titullit presidencial.

Hillary Clinton votoi e para në New York. Ajo doli e buzëqeshur dhe tërë gjallëri nga qendra e votimit. Mbështetësit nuk munguan.

“Unë jam shumë e lumtur. Jam vërtet tepër e lumtur. Të gjithë miqtë e mi dhe fqinjët e mi më bënë të ndihem kështu”, tha Clinton.

Ndërsa Donald Trump, që nuk heq dorë nga dyshimet dhe thotë se ka vënë re parregullsi në procesin zgjedhor, duket se nuk ka besim tek asnjë. Ai nuk nguroi të hidhte sytë nga fleta e votimit të bashkëshortes Melania, ndërsa çifti votoi bashkë në New York.

Në fakt, në këtë qendër votimi, para se të mbërrinte Donald Trump u shënuan disa trazira të vogla. Një formë proteste e çuditshme.