Presidentin e zgjedh Kolegji, për të fituar duhen 270 vota në kolegj

Bota November 09, 2016 - 02:53

Presidenti amerikan nuk zgjidhet drejtpërdrejte nga vota e popullit, por nga ajo e një grupi qytetarësh të zgjedhur nga partia. Vota që hidhet për kandidatin shkon në fakt për 538 anëtarët e Kolegjit Zgjedhor, i cili mblidhet në muajin dhjetor dhe voton për presidentin dhe zëvëndëspresidentin. Një presidenti i duhen të paktën 270 vota nga kolegji.

Çfarë është kolegji zgjedhor?

Kolegji zgjedhor është një proces. Pjesa e pare e këtij procesi kontrollohet nga partitë politike në secilin shtet, ku partitë hartojnë një listë me zyrtare, liderë të partisë, apo dhe njerëz të zakonshëm që janë të lidhur me kandidatin për president të asaj partitë.

Pjesa e dytë është ajo që ndodh ditën e zgjedhjeve, kur duke hedhur votën për kandidatin që duan, votuesit në fakt zgjedhin përfaqësuesit nga kjo listë si anëtarë të kolegjit zgjedhor. Çdo shtet ka aq të zgjedhur sa çka dhe përfaqësues në Kongresin Amerikan, përveç  Nebraskës dhe Meinit, ku votat e Kolegjit Zgjedhor ndahen në mënyrë proporcionale në bazë të votës popullore në secilin distrikt elektoral.

Tre anëtarë të tjerë të Kolegjit, përfaqësojnë territore që nuk janë shtete si Distrikti i Kolumbias. Teksasi ka 38 të zgjedhur, siç ka 36 anëtarë në dhomën e përfaqësuesve dhe dy senatorët. Kalifornia ka më shumë vota zgjedhore, 55, ndërsa më pak kanë Dakota, Montana, apo Washington DC, me nga 3 secili.

Në New York, Bill Clinton është në listën e demokratëve, ndërsa nëse fiton Trump, i biri Donald junior është në listën e republikanëve të kolegjit zgjedhor për atë shtet. Shumica e shteteve i shpërndajnë votat  me sistemin, fituesi i merr të gjitha, pra nëse Clinton fiton në shtetin e Arizonës, 11 të zgjedhurit nga Partia Demokratike do të jenë në Kolegjin Zgjedhor.

Votat e Kolegjit hidhen në 19 dhjetor dhe numërohen në kongres më 6 janar. Rrallëherë ndodh që vota e Kolegjit të ndryshojë nga ajo e popullit. Kushtetuta nuk e pengon një anëtar të Kolegjit të hedhë votën ndryshe nga vullneti popullor, por në disa shtete kjo dënohet me gjobë edhe pse një fenomen tepër i rrallë.

Anëtarët e pabesë pritet të jenë më shumë këtë vit, për shkak të përçarjeve që ka shkaktuar Trump në Partinë Republikane. Në vitin 2000, demokrati Al Gore fitoi votën popullore me 500 mijë vota më shumë se republikani, George Bush, por mori 266 vota të Kolegjit Zgjedhor. Pas kontestit në Gjykatën e Lartë Bush mori votat e Kolegjit Zgjedhor të Floridës dhe u bë president.

Nëse asnjë kandidat nuk merr 270 vota, atëherë Dhoma e Përfaqësuesve e zgjedh presidentin, siç ka ndodhur me Thomas Jefferson më 1801 dhe John Quincy Adams më 1825.

Prej mëse 200 vitesh, kolegji elektoral rregullohet me kushtetutë dhe ekziston për dy arsye. E para ishte për krijuar një zonë  ndarëse mes popullsisë dhe zgjedhjes së presidentit. E dyta, për t’i dhënë më shumë pushtet shteteve të vogla. Hartuesit e kushtetutës kishin frikë nga zgjedhjet e drejtpërdrejta, i trembeshin një tirani që mund të manipulonte opinionin publik dhe të vinte në pushtet.

Ndaj zgjedhja e drejtpërdrejtë iu besua njerëzve më të aftë të analizonin cilësitë dhe populli duhet të zgjidhte ata që mund të zgjidhnin më mirë. Kolegji zgjedhor do të ishte një grup që takohej vetëm një herë, çdo katër vjet dhe s’mund të manipulohej. Shumë prej arsyeve që i shtynë dikur amerikanët drejt këtij sistemi sot ndoshta janë të pakuptueshme opinionet janë për një zgjedhje një person-një votë. 

Ata që propozojnë reformimin e kolegjit zgjedhor argumentojnë se sistemi i shtyn kandidatët të lënë pas dorë shumë shtete gjatë fushatës.

92,5 për qind e fushatës së fundit është përqëndruar në 11 shtetet që vendosin për garën dhe mëse gjysma e këtij aktiviteti vetëm në katër shtete. Por edhe pse sondazhe të shumta prej 44-ës e deri sot tregojnë se shumica dëshiron shfuqizimin e Kolegjit Elektoral, përveç një përpjekjeje të dështuar më 1970-ën, askush nuk ka arritur seriozisht të lëkundë themelet e zgjedhjes nga kolegji zgjedhor.