Mesazhi i fuqishëm i Kerry-t nga Berlini për aleatët

Bota December 05, 2016 - 22:56

Sekretari amerikan në largim, John Kerry u ka thënë sot aleatëve në Berlin, pas zhvillimeve të fundit në Evropë dhe SHBA, se “gjithçka do të jetë në rregull”.

Kerry, duke folur në kryeqytetin gjerman, ka dashur t’i bind diplomatët e pranishëm se do të mbizotërojnë vlerat e përbashkëta që i kanë ata me SHBA-të, transmeton AP.

“Do të ishte e papërshtatshme që të vijë këtu, e mos të them asgjë për paqartësitë që njerëzit i ndjejnë në lidhje me zhvillimet e fundit. Ekziston shqetësim i dukshëm në sferën politike të vendeve në nivel global”, ka thënë Kerry, transmeton lajmi.net.

Këto deklarata Kerry i bëri pasi pranoi mirënjohje për meritat nga shefi i diplomacisë gjermane, Frank-Walter Steinmaier.

Kerry këto i ka thënë duke u nisur nga referendumi i djeshëm për ndryshimet kushtetuese që u mbajt në Itali, vendimin e Britanisë që të largohet nga BE-ja dhe fitoren e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

“Por, do t’ia dalim njerëz, për këtë jam absolutisht i sigurt. Vetëm duhet të jem të qetë dhe të kuptueshëm dhe të vazhdojnë të veprojmë në të njëjtin drejtim”, ka thënë ai.