Ushtria amerikane has në telashe për çuarjen e tankeve në kufijtë e Rusisë

Bota January 23, 2017 - 23:20

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka dislokuar një njësit prej 4.000 ushtarësh dhe 90 tankesh në Evropë në janar, për të testuar aftësinë e saj për të forcuar me shpejtësi vijat e frontit në ndonjë konfrontim të mundshëm me Rusinë.

Por, çuarja e tyre aty ku duhet të shkojnë ka rezultuar e vështirë, raporton The Wall Street Journal.

Zyrtarë të ushtrisë amerikane kanë bërë të ditur se disa tanke e mjete të tjera të blinduara janë dëmtuar kur kanë goditur urat që kanë qenë më të ulëta se që ishte pritur, teksa ato janë nisur nga porti gjerman i Bremerhavenit drejt Polonisë, transmeton Gazeta Express.

Pesë mjete të tjera të rënda ndodhen ende në Gjermani, teksa ushtria po shqyrton mundësitë e çuarjes së tyre në lindje, kanë treguar zyrtarët ushtarakë amerikanë.

Vështirësitë përbëjnë një sinjal të problemeve logjistike dhe të problemeve të tjera me të cilat po përballet Ushtria e Shteteve të Bashkuara, teksa po bashkëpunon me aleatët e NATO's për të përtërirë përqendrimin mbi Rusinë si armike të mundshme, dhe për të siguruar shtetet aleate në Evropën Lindore.