Drejtori i ri i FBI-së emërohet javën e ardhshme, këta janë kandidatët
Presidenti Donald Trump thotë se drejtori i ardhshëm i FBI’së mund të emërohet që brenda javës së ardhshme.
Presidenti i bëri komentet, vetëm katër ditë pasi shkarkoi drejtorin e mëparshëm James Comey.
Trump tha se po shqyrton kandidatët për postin e drejtuesit të ardhshëm dhe se mund ta bëjë zgjedhjen edhe para turneut të parë ndërkombëtar që do të zhvillojë në Evropë dhe në Lindjen e Mesme.
Sipas burimeve të afërta me administratën, ndër kandidatët që po analizohen janë: Alice Fisher, ish-zyrtare e lartë në Departamentin e Drejtësisë gjatë administratës së George Bushit, drejtori aktual në detyrë, Andrew McCabe; agjenti special i FBI’së Adam Lee, i cili aktualisht drejton zyrën e FBI’së në Riçmond të Virxhinias dhe Senatori republikan John Cornyn.
Kreu i Byrosë Federale të Hetimeve James Comey është shkarkuar ditën e martë të javës që po lëmë pas.
“Presidenti ka pranuar rekomandimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm lidhur me shkarkimin e drejtorit të FBI’së," kishte njoftuar zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.
Comey po mbikëqyrte një hetim për të sqaruar nëse disa pjesëtarë të fushatës së Trump kishin bashkëpunuar me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
James Comey, prokuror prej një kohe të gjatë, ka qenë zëvendës kreu i Departamentit të Drejtësisë gjatë administratës së Presidentit George W. Bush dhe u emërua shef i FBI’së me mbështetjen e gjerë nga të dyja partitë në Kongres.
Ai luajti rol kryesor në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, në të cilin Trump fitoi ndaj kandidates Hillary Clinton.
Korrikun e kaluar, Comey tha se kandidatja Clinton ishte treguar “jashtëzakonisht e pakujdesshme” në trajtimin e e-maileve të saj që lidheshin me sigurinë kombëtare, në kohën që ishte diplomatja më e lartë e vendit. Ai shtoi megjithatë se veprimet e zonjës Clinton nuk justifikonin ngritjen e ndonjë akuze penale kundër saj.