Përzierja e Rusisë në zgjedhjet amerikane 'nuk ka pasur ndikim tek rezultati'

Bota June 21, 2017 - 23:14

Zyrtarët amerikanë u thanë ligjvënësve të mërkurën se nuk ka dyshim se Rusia kishte ndërhyrë gjerësisht në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar, me synimin për të ndihmuar biznesmenin Donald Trump të fitonte zgjedhjet. Por sipas tyre, nuk ka prova se Moska qe në gjendje të ndryshonte rezultatin.

Ish-shefi i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare Jeh Johnson tha në një seancë dëgjimore të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve se hakerimi rus i dokumentave në kompjuterat e Partisë Demokratike në Uashington dhe përpjekjet për të depërtuar në të dhënat shtetërore mbi zgjedhjet, tejkaluan në mënyrë domëthënëse përpjekjet në të shkuarën të Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet amerikane.

"Në 2016 qeveria ruse, në drejtimin e vetë Vladimir Putinit, orkestroi sulme kibernetike ndaj vendit tonë me qëllimin për të ndikuar procesin zgjedhor, është kaq e qartë dhe e thjeshtë", tha zoti Johnson, duke paralajmëruar se sulmet kibernetike kundër zgjedhjeve amerikane mund të përkeqësohen në vitet në vijim.

Presidenti Putin ka hedhur poshtë pretendimet mbi përfshirjen e qeverisë ruse në sulmet kibernetike ndaj SHBA-së. Po ai tha se megjithatë hakerat "patriotë", siç dhe i cilësoi, mund të kenë kryer sulme ndaj zgjedhjeve amerikane. "Mendoj se disa e bëjnë qëllimisht, duke organizuar një zinxhir sulmesh në mënyrë të tillë që Rusia të shihet si origjina e një sulmi të tillë", tha muajin e kaluar presidenti rus.

Në një seancë tjetër, një zyrtare aktuale e Agjencisë për Sigurinë Kombëtare Jeanette Manfra i tha Komisionit të Senatit për Zbulimin, se agjencia ka prova se Rusia vuri në shënjestër sistemet e lidhura me zgjedhjet në 21 shtete amerikane nga 50 gjithsej.

Zonja Manfra tha se 36 shtete pranuan ndihmë nga qeveria federale në përpjekjen për të minimizuar përpjekjet ruse, por shumë shtete kundërshtuan mbikëqyrjen federale të procesit zgjedhor në territorin e tyre.

Operacioni rus i hakerimit të kompjuterave çoi në publikimin prej “WikiLeaks-it” të mijëra email –eve të marra nga dosjet e kryetarit të partisë Demokratike John Podesta. Ai ishte dhe kryetar i fushatës së sfidantes së zotit Trump, ish Sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton. Emailet e vunë në një pozitë të ngushtë Hillary Clintonin javë përpara mbajtjes së zgjedhjeve të nëntorit, pasi treguan prapaskenat e përpjekjeve të zyrtarëve demokratë, që ajo të ishte kandidatja e partisë për garën presidenciale.

Zonja Clinton fajësoi publikimin e email-eve si një prej arsyeve për humbjen e saj të papritur përballë Donald Trumpit, megjithëse ish shefi i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare Jeh Johnson tha se nuk kishte idenë për ndikimin e tyre tek rezultati.

"Nuk kam dijeni që votat të jenë ndryshuar në një farë mënyre", tha ia. Ai shtoi gjithashtu se nuk ishte në dijeni, nëse zoti Trump apo ndihmësit e tij të fushatës kanë bashkëpunuar në mënyrë paligjshme me zyrtarët ruse për ta ndihmuar atë të fitojë një mandat katërvjeçar presidencial, siç dhe po hetohet nga prokurori special Robert Mueller.

Zoti Johnson tha se hakerat rusë po përpiqeshin të gjenin dobësi në sistemin zgjedhore në shtete të ndryshme. Zgjedhjet amerikane janë të decentralizuara, me secilin prej 50 shteteve dhe mijëra qeveri lokale që mbikqyrin regjistrin e votuesve. Votat hidhen dhe numërohen në nivel lokal.

Në seancën dëgjimore në senat, Bill Priestap, një zyrtar i zyrës së kundërzbulimit në Byronë Federale të Hetimeve, shpjegoi arsyen e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-ës.

Sipas zotit Priestapi që nga rënia e Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990, "Rusia është konsoliduar ndjeshëm, por nuk ka qenë në gjendje të rimarrë plotësisht statusin apo territorin e saj të mëparshëm. Rusia e konsideron SHBA-në shumë të fortë e me shumë aleanca për t’u për përballur ushtarak me të, ndaj dhe duke shpresuar që të rifitojë statusin e mëparshëm, po përpiqet të dobësojë Amerikën dhe aleatët tanë. Një nga mënyrat me të cilat Rusia kërkoi ta bëjë këtë ishte nëpërmjet ndikimit sesa duke përdorur forcën”.

Sipas Bill Priestap Rusia "ka përdorur informacione për të minuar ligjshmërinë e procesit amerikan zgjedhor. Një nga qëllimet e tyre kryesore ishte krijimi i mosmarrëveshjeve dhe minimi i parimit themelor demokratik: zgjedhje të lira dhe të ndershme", tha ai.

Zoti Jeh Xhonson ndërkohë tha se beson se përpjekjet ruse për të ndikuar në zgjedhjet amerikane "përpara se të përmirësohen, do të përkeqësohen dhe se aktorë kibernetikë me qëllime të këqija, do të jenë gjithnjë e më agresivë e këmbëngulës.

Ai i bëri thirrje shefit aktual të agjencisë për sigurinë kombëtare John Kelly “të garantojë sigurinë e zgjedhjeve” një nga dy përparësitë kryesore, së bashku me prëpjekjet kundër terrorizmit. /VOA