NYT zbulon të tjera të fshehta të lidhjeve të Donald Trumpit me Rusinë

Bota August 29, 2017 - 20:16

E përditshmja amerikane Nju Jork Times zbulon të tjera detaje të marrëdhënieve të Donald Trampit me Moskën gjatë fushatës presidenciale. Kjo e përditshme ka zbuluar disa emaile të një prej ortakëve të Trumpit në biznes, i cili garantonte zgjerimin e pasurive të miliarderit amerikan në Rusi.

E-mailet ishin shkëmbyer mes Felix Sater, njërit prej ortakëve të Donald Trumpit në biznes dhe avokatit të tij Michael D. Cohen. Sater premtonte zgjerimin e bizneseve dhe pasurive të Trumpit në Rusi.

Ndër të tjera ai merrte përsipër ndërtimin e një kulle Tramp në Moskë, për të cilën garantonte ndihmën e presidentit rus, Vladimir Putin. Një nismë që i siguronte miliarderit Njujorkez besueshmëri në politikë, që do të përdorej edhe në synimet e tij për tu bërë president i Shteteve të Bashkuara.

Por sipas New York Times, projekti në fjalë nuk siguroi kurrë leje dhe financim nga qeveria ruse.

Megjithatë mesazhet janë dëshmi se disa prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Donald Trumpit kanë pasur lidhje me Moskën që prej nisjes së fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Të gjitha këto lidhje, aktualisht janë nën hetimin e departamentit të drejtësisë amerikane dhe kongresit.

Image