Aksidentohet ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare
Foto: Reuters

Aksidentohet ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare

Bota April 26, 2024 - 20:55

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare dhe politikani i ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir, është dërguar në spital me lëndime të lehta pas një aksidenti me veturë.

Raportohet se përveç Ben-Gvir, të lënduar nga aksidenti kanë mbetur edhe vajza e tij, një roje sigurie dhe shoferi.

Tani, policia po i heton rrethanat e aksidentit që sipas mediave hebraike ka ndodhur për arsyen se vetura kishte kaluar në semafor të kuq, shkruan Skynews, përcjell Telegrafi.

Bëhet e ditur se ministri ishte në qytetin Ramle pranë Tel Avivit, duke vizituar vendin ku policia dyshon për një sulm me thikë.

Shefi i policisë së qarkut qendror Avi Biton ka njoftuar se një burrë 21-vjeçar ka sulmuar një grua 19-vjeçare. Edhe pse me vetëdije, gruaja thuhet se ka marrë plagë të rënda dhe po trajtohet në spital.

Ndryshe, Ben-Gvir është anëtar i diskutueshëm i qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

Ai ka një histori dënimesh në lidhje me mbështetjen për terrorizmin dhe retorikën anti-arabe.

Image