Vazhdon arrestimi i gazetarëve të pavarur në Rusi
Foto: AFP

Vazhdon arrestimi i gazetarëve të pavarur në Rusi

Bota April 28, 2024 - 17:44

Arrestimi i gazetarëve të pavarur në Rusi ka vazhduar të rritet, pas arrestimit të dy gazetarëve të tjerë në fundjavë.

Associated Press raportoi të dielën se Sergei Karelin u arrestuar nga autoritetet ruse në rajonin Murmansk, nën akuzat për “ekstremizëm”, në lidhje me videot që ai gjoja i bëri për kanalin “Navalny Live” në YouTube.

Karelin, 41 vjeç, është gazetar dhe kameraman dhe kishte punuar edhe për Associated Press dhe Deutsche Welle gjithashtu.

Ai u arrestua vetëm një ditë pasi një gjykatë në Moskë urdhëroi paraburgosjen e gazetarit Konstantin Gabov të shtunën për akuzat e njëjta.

Karelin dhe Gabov i mohojnë akuzat.

Kanali “Navanly Live” u themelua nga Fondacioni Kundër Korrupsionit i liderit të ndjerë opozitar rus, Aleksei Navalny.

Rusia e ka intensifikuar shtypjen e mediave të pavarura prej se e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022. /REL