Alarmon Blinkeni: Në Gazë janë vrarë më shumë civilë se terroristë

Alarmon Blinkeni: Në Gazë janë vrarë më shumë civilë se terroristë

Bota May 13, 2024 - 13:04

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se “SHBA-ja beson se në Gazë janë vrarë më shumë civilë se terroristë”.

I pyetur nëse SHBA-ja e ndan të njëjtin vlerësim me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili së fundmi është shprehur se Izraeli ka vrarë 14 mijë terroristë dhe 16 mijë civilë në luftën e tij kundër Hamasit, Blinkeni tha: “Po. Dhe mendoj se raporti e bën të qartë se ndërkohë që Izraeli ka procedura dhe rregulla për të minimizuar dëmin e civilëve, duke pasur parasysh ndikimin që operacionet ushtarake kanë pasur në Gazë, ato nuk janë zbatuar vazhdimisht”.

Ndryshe, deklarata e Blinkenit vjen disa ditë pasi presidenti amerikan, Joe Biden, tha se do të ndalojë dërgimin e armëve në Izrael nëse ai e pushton Rafahun, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Edhe udhëheqës të tjerë botërorë dhe grupe të ndihmës humanitare kanë paralajmëruar për përpjekjet e Izraelit në Rripin e Gazës, të cilat po i vënë në rrezik civilët.

Blinkeni foli gjithashtu edhe për një rishikim nga Departamenti i Shtetit për veprimet e Izraelit të cilat kanë ngritur “shqetësime serioze”.

“Vlerësimi ynë do të jetë i vazhdueshëm. Por siç thashë, duke pasur parasysh vuajtjet e civilëve, është e arsyeshme të thuhet se në një numër rastesh Izraeli nuk ka vepruar në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi, lufta në Gazë ka lënë të vdekur më shumë se 34 mijë palestinezë.