Zjarret shpërthejnë në Evropën Jugore nga temperaturat e larta

Zjarret shpërthejnë në Evropën Jugore nga temperaturat e larta

Bota August 13, 2025 - 17:31

Të paktën tre persona kanë vdekur nga një valë përvëluese e të nxehtit, nga e cila po ndizen dhjetëra zjarre në pjesë të Evropës Jugore, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Alarme të kuqe për vapë janë lëshuar në pjesë të Italisë, Francës, Spanjës, Portugalisë dhe Ballkanit, duke paralajmëruar për rreziqe të konsiderueshme për shëndetin ndërsa temperaturat kalojnë mbi 40 gradë Celsius. Shërbimi meteorologjik i Spanjës, tha se temperaturat mund të arrijnë 44 gradë Celsius, ndërsa Portugalia Jugore gjithashtu mund të arrijë 44 gradë Celsius.

Në Spanjë, një person vdiq pasi pësoi djegie të rënda në Tres Cantos, pranë Madridit, ku erërat mbi 70 km/orë çuan flakë pranë shtëpive, duke detyruar qindra të largoheshin.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha të martën se shërbimet e shpëtimit "po punojnë pa u lodhur për të shuar zjarret". Pothuajse 1,000 ushtarë u vendosën për të luftuar zjarret në të gjithë vendin.

Alarme për nxehtësi janë ne fuqi edhe për të paktën 10 qytete italiane, duke përfshirë Romën, Milanon dhe Firencen. Pothuajse tre të katërtat e Francës janë nën alarm për vapë, me temperature që parashikohen të arrijnë 36 gradë Celsius në rajonin e Parisit.

Greqia po lufton me më shumë se 150 zjarre në të gjithë vendin, të përkeqësuar nga erërat e forta.

Autoritetet greke po paralajmërojnë se kushtet mund të bëhen edhe më sfiduese në ditët në vijim.

Turqia ka vënë nën kontroll disa zjarre të mëdha, duke përfshirë pasi qindra u evakuuan dhe Ngushtica e Dardaneleve dhe aeroporti i Çanakalasë u mbyllën.

Në Mal të Zi, një ushtar vdiq dhe një tjetër u plagos kur cisterna e tyre e ujit u përmbys ndërsa po luftonin zjarret pranë kryeqytetit Podgoricë.

Disa pjesë të Mbretërisë së Bashkuar po përjetojnë valën e katërt të të nxehtit të vitit, me temperatura që arrijnë në 33 gradë Celsius. Shkencëtarët paralajmërojnë se ngrohja globale po I bën verat mesdhetare më të nxehta dhe më të thata, duke nxitur sezone zjarresh më të gjata dhe më intensive./rtk