
Trumpi thotë se do të takohet me Kim Jong Unin
Presidenti amerikan, Donald Trump, është i gatshëm të takohet me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, i tha ai homologut të tij të Koresë së Jugut gjatë një takimi të hënën ku diskutuan paqen në Gadishullin Korean dhe aftësitë e armëve bërthamore të Pyongangut.
Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, i cili u zgjodh në qershor, i kërkoi Trumpit të ndihmonte në vendosjen e paqes midis dy Koreve gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë – duke pretenduar se situata kishte qenë më e qëndrueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit në detyrë, shkruan CNN.
“Mendoj se ju jeni presidenti i parë që keni kaq shumë interes për çështjet e paqes në botë dhe në të vërtetë keni bërë arritje”, tha Lee. “Pra, shpresoj se do të bëni paqe në Gadishullin Korean… dhe do të takoheni me Kim Jong Un”.
Ai shtoi se do ta “mbështeste në mënyrë aktive” Trumpi nëse ai do të donte të “luante rolin e paqebërësit” dhe se presidenti amerikan ishte “i vetmi person që mund të zgjidhë në të vërtetë” tensionet midis Koresë së Veriut dhe Jugut, të cilat teknikisht mbeten në luftë pasi Lufta Koreane përfundoi në vitin 1953 me një armëpushim, jo me një traktat paqeje.
“Do ta bëj këtë dhe do të zhvillojmë bisedime. Ai do të donte të takohej me mua”, tha Trumpi për Kimin. “Ne mezi presim të takohemi me të dhe do t’i përmirësojmë marrëdhëniet. Ju do ta ndihmoni këtë”, tha Trumpi.