
Shkon në gjashtë numri i viktimave në sulmin me armë në një stacion autobusi në Jerusalem
Disa sulmues palestinezë hapën zjarr në një stacion autobusi në veri të Jerusalemit të hënën, duke i vrarë gjashtë njerëz dhe duke i plagosur 12 të tjerë, sipas autoriteteve izraelite.
Policia e Izraelit tha se sulmuesit qëlluan në drejtim të njerëzve që po prisnin në stacionin e autobusit.
Një ushtar izraelit dhe një civil që ndodheshin në vendngjarje qëlluan dhe i vranë sulmuesit, tha policia.
Lufta në Rripin e Gazës ka shkaktuar një rritje të dhunës në Bregun Perëndimor - i pushtuar nga Izraeli - si dhe brenda vetë Izraelit. Militantët palestinezë kanë sulmuar dhe vrarë izraelitë në Izrael dhe në Bregun Perëndimor, ndërkohë që është rritur edhe dhuna e kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve.
Sulmi i së hënës ndodhi në një kryqëzim të madh në hyrjen veriore të Jerusalemit, në një rrugë që të çon drejt vendbanimeve hebraike në Jerusalemin Lindor.
Pamje nga vendi i ngjarjeve shfaqën dhjetëra njerëz duke vrapuar për t’u larguar nga stacioni i autobusit. Një autobus, xhami i përparmë i të cilit ishte dëmtuar nga plumbat, mbeti në stacion, me sende të shpërndara në rrugë.
Ekipet emergjente që mbërritën në vend thanë se zona ishte kaotike dhe e mbuluar me xhama të thyer, me njerëz të plagosur e të shtrirë pandjenja në rrugë dhe në trotuarin pranë stacionit të autobusit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, mbërriti në vendngjarje rreth dy orë pas sulmit.
Netanyahu duhej të ishte në gjyq të hënën për gjykimin ndaj tij për korrupsion, por seanca u shty për shkak të situatës së sigurisë. Ai paralajmëroi se Izraeli po “lufton një luftë në disa fronte”, duke përfshirë Gazën, Bregun Perëndimor dhe vetë Izraelin.
Netanyahu gjithashtu vlerësoi ushtarin që vrau sulmuesin, i cili ishte pjesë e një njësie të sapoformuar për ushtarë ultraortodoksë.
Qindra forca sigurie mbërritën në vend për të kërkuar sulmues të tjerë ose eksplozivë të mundshëm të vendosur në zonë.
Ushtria izraelite tha se po rrethon fshatra palestineze në periferi të qytetit të afërt të Ramallahut në Bregun Perëndimor, ndërsa po rrit masat mbrojtëse pas sulmit.
Hamas – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – e përshëndeti sulmin, por nuk e mori përgjegjësinë për të, duke e quajtur atë “përgjigje e natyrshme ndaj krimeve të okupatorit kundër popullit tonë”.
Sulmi i së hënës ishte më vdekjeprurësi që prej tetorit 2024, kur dy palestinezë nga Bregu Perëndimor hapën zjarr brenda një treni të transportit urban në Tel Aviv, duke vrarë shtatë persona dhe plagosur shumë të tjerë. Krahu ushtarak i Hamasit mori përgjegjësinë për atë sulm.
Të dhënat nga zyra humanitare e OKB-së tregojnë se të paktën 49 izraelitë janë vrarë nga palestinezë në Izrael ose në Bregun Perëndimor nga fillimi i luftës deri në korrik të vitit 2025.
Në të njëjtën periudhë, forcat dhe civilët izraelitë kanë vrarë të paktën 968 palestinezë në Izrael dhe në Bregun Perëndimor. /Rel