Droni rus godet një ndërtesë banimi në Rumani, dy të lënduar
Një dron ka goditur një ndërtesë apartamentesh në Rumani dhe ka shpërthyer, duke lënduar dy persona, pas një sulmi të Rusisë ndaj një porti ukrainas pranë kufirit, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë.
Sipas ministrisë, gjatë natës së 28–29 majit, Rusia ka rifilluar sulmet me dronë ndaj caqeve civile dhe infrastrukturore në Ukrainë, pranë kufirit lumor me Rumaninë.
Droni ka goditur çatinë e një ndërtese në qytetin Galaëi, pranë kufirit me Ukrainën, ndërsa sipas mediave lokale, dëmet janë të dukshme në vendin e ngjarjes, shkruan CNN.
Zëdhënësi i ministrisë, kolonel Cristian Popovici, ka deklaruar se droni ka hyrë në hapësirën ajrore rumune në orën 01:54 dhe është drejtuar drejt pjesës lindore të qytetit, por më pas është humbur nga radarët në jug të Galaëi-t.
Në të njëjtën kohë, autoritetet ukrainase kanë raportuar sulme me dronë në portin Izmail, një zonë e rëndësishme në lumin Danub, e cila shpesh është shënjestër e sulmeve ruse.
Rumania, si anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ka ngritur në ajër dy avionë luftarakë F-16 gjatë incidentit.