OKB-ja kërkon t’i riaktivizojë bisedimet e paqes në Qipro
52 vjet më parë (20.07.1974) nisi pushtimi i Qipros, që çoi në ndarjen e ishullit. Pesë dekada më vonë çështja e Qipros mbetet një nga konfliktet më të gjata dhe ende të pazgjidhura në botë. Javën e kaluar, Kombet e Bashkuara njoftuan se Antonio Guterres do të vizitojë Qipron nga 27 deri më 29 korrik, vizita e parë e një sekretari të përgjithshëm të OKB-së në 16 vjet, në një përpjekje për t’i dhënë jetë të re procesit të ngecur të paqes.
Vizita e tij shënon kulmin e një nisme të re të OKB-së, e cila u lançua pas një takimi joformal të zgjeruar mbi Qipron që u mbajt në Gjenevë në mars.
Që atëherë, e dërguara personale e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Maria Angela Holguin, ka zhvilluar një sërë konsultimesh në Qipro, Greqi, Turqi, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bruksel për të vlerësuar nëse ekzistojnë kushtet politike për rifillimin e negociatave efikase. Gjatë qëndrimit në Qipro, Guterres do të zhvillojë takime të ndara me presidentin e Republikës së Qipros, Nikos Christodoulides, dhe me liderin turko-qipriot, Tufan Erhurman.
Më 29 korrik, të dy liderët pritet të takohen së bashku me kreun e OKB-së në rezidencën e përfaqësuesit special të OKB-së në zonën tampon të kontrolluar nga OKB-ja.
Herën e fundit që një Sekretar i Përgjithshëm i OKB-së vizitoi Qipron ishte në vitin 2010, kur Ban Ki-moon u përpoq të krijonte momentum politik në negociatat midis presidentit të atëhershëm të Republikës së Qipros, Demetris Christofias, dhe liderit turko-qipriot, Mehmet Ali Talat.
Të dy liderët vinin nga parti politike të majta që mbështesnin një federatë dyzonale dhe dykomunale dhe konsideroheshin gjerësisht si të gatshëm politikisht për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse.
Megjithatë, ky momentum u zbeh vetëm disa muaj më vonë, pasi Talat humbi zgjedhjet për udhëheqjen turko-qipriote ndaj Dervis Eroglu, ndërsa mosmarrëveshjet kryesore në negociata mbetën të pazgjidhura.
Përpjekjet e Ban Ki-moon u paraprinë nga angazhimi intensiv i Kofi Annanit ndërmjet viteve 2002 dhe 2004, kur OKB-ja ndërmori përpjekjen më ambicioze për të ndërmjetësuar një zgjidhje gjithëpërfshirëse të çështjes qipriote.
Annan u përfshi personalisht në negociata, duke paraqitur disa versione të rishikuara të planit që u bë i njohur si “Plani Annan”. Nisma arriti kulmin me referendumet e njëkohshme në prill 2004. Propozimi u miratua nga shumica e votuesve turko-qipriotë, por u refuzua nga 75.8% e votuesve greko-qipriotë.
Njoftimi për vizitën e Guterres vjen mes raportimeve se OKB-ja po shqyrton një kornizë të re të mundshme për zgjidhjen e çështjes së Qipros. Diskutimi mori hov pasi gazeta britanike “The Independent” raportoi më 12 korrik se Holguin po punonte mbi një propozim të rishikuar për zgjidhje.
Sipas gazetës, korniza do të ruante modelin e dakorduar të federatës dyzonale dhe dykomunale, siç përcaktohet në rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, por do t’u jepte autonomi dukshëm më të madhe dy shteteve përbërëse dhe do të kufizonte kompetencat e qeverisë federale.
Raporti pretendon gjithashtu se, në këmbim të kësaj autonomie të zgjeruar, pala turko-qipriote do të pranojë rregullime territoriale, duke përfshirë kthimin e qytetit të mbyllur të Varoshës dhe qytetit të Morphou. Po ashtu sugjerohet se po shqyrtohen marrëveshje të reja sigurie që do të lejonin praninë e vazhdueshme të trupave greke dhe turke në ishull nën komandën e NATO-s.
Sipas “The Independent” propozimi synon të ngushtojë hendekun midis mbështetjes së greko-qipriotëve për një zgjidhje federale dhe mbështetjes së vazhdueshme të Turqisë për një zgjidhje me dy shtete. OKB-ja nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar këtë raport. I pyetur për këtë, Presidenti Christodoulides deklaroi se “jo gjithçka e raportuar nga gazeta është e saktë”, duke shtuar se pret zhvillime të mëtejshme në periudhën e ardhshme.
Pavarësisht pritshmërive që shoqërojnë vizitën e Guterres, diplomatët thonë se objektivi i menjëhershëm i kreut të OKB-së nuk është të diskutojë një plan të detajuar zgjidhjeje.
Burime diplomatike që folën për DW besojnë se rezultati më i mundshëm i takimeve javën e ardhshme do të jetë njoftimi i një takimi të ri joformal të zgjeruar, ku do të marrin pjesë liderët e dy komuniteteve të Qipros, përfaqësues të Greqisë, Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe OKB-ja.
Sipas të njëjtave burime, një takim i tillë mund të mbahet në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit. Ndryshe nga takimet e mëparshme joformale, OKB-ja duket se po kërkon këtë herë një proces më të strukturuar, me hapa më të qartë dhe afate të përcaktuara.
Megjithëse angazhimi i rinovuar i Guterres lidhet në mënyrë të pashmangshme me muajt e fundit të mandatit të tij të dytë, i cili përfundon në dhjetor, burime diplomatike besojnë se kjo nismë ka arsye më të thella sesa thjesht koha e kufizuar që i ka mbetur në detyrë.
Për herë të parë pas shumë vitesh, ata mendojnë se po krijohen kushte për një dialog të ri politik. Një faktor kyç ka qenë zgjedhja e Tufan Erhurman si lider turko-qipriot tetorin e kaluar. Ndryshe nga paraardhësi i tij, Ersin Tatar, i cili mbronte zgjidhjen me dy shtete, Erhurman ka deklaruar se është i gatshëm të rifillojë negociatat mbi bazën e një federate dyzonale dhe dykomunale.
Ky ndryshim nuk përfaqëson një ndryshim në politikën zyrtare të Turqisë dhe as nuk zgjidh mosmarrëveshjet e vjetra mbi sigurinë, garancitë, barazinë politike apo praninë e vazhdueshme të trupave turke në ishull. Megjithatë, ai ka krijuar kushtet që OKB-ja të testojë nëse një rikthim serioz në negociata është tani i mundur.
Zëdhënësi i qeverisë qipriote, Konstantinos Letymbiotis, beson se vizita e Guterres duhet të shihet edhe në kontekstin e rritjes së aktivitetit diplomatik ndërkombëtar lidhur me Qipron. “Nisma e Sekretarit të Përgjithshëm, angazhimi më i fortë i Bashkimit Evropian dhe emërimi i Zëvendëspresidentit Ekzekutiv Raffaele Fitto si i dërguar i BE-së për Qipron po krijojnë një momentum të ri,” tha ai për DW-në.
Më 8 korrik, presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen diskutuan nismën e OKB-së me Presidentin turk Recep Tayyip Erdoëan, duke i kërkuar Ankarasë të shfrytëzojë momentumin e ri diplomatik për Qipron.
Disa ditë më vonë, Komisioni Evropian emëroi Raffaele Fitto si përfaqësues të posaçëm për çështjen e Qipros. Ky veprim u interpretua gjerësisht si një shenjë se Brukseli synon të luajë një rol më substancial në proces, duke theksuar njëkohësisht se çdo zgjidhje e ardhshme duhet të jetë plotësisht në përputhje me të drejtën e Bashkimit Evropian.
Përfshirja e shtuar e BE-së është e lidhur ngushtë edhe me marrëdhëniet më të gjera midis BE-së dhe Turqisë. Nga këndvështrimi i Brukselit, përparimi në çështjen e Qipros mund të lehtësojë bashkëpunimin me Ankaranë në disa fusha kyçe. Në të kundërt, mungesa e përparimit vazhdon të jetë një nga pengesat kryesore që pamundësojnë një përmirësim domethënës të marrëdhënieve midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë. /DW