Buxheti 2 miliardësh plotësisht i realizueshëm

Ekonomia November 07, 2016 - 23:07

Shefi i kabinetit të kryeministrit, Sokol Havolli, gjatë një debati televiziv ka thënë se projektbuxheti i miratuar në Qeverinë e Kosovës në vlerë mbi 2 miliardë eurosh, është plotësisht i realizueshëm.

Pasi ka prezantuar dimensione të ndryshme të këtij projektbuxheti në emisionin "Euro Tribuna", Havolli ka thënë se ky është buxhet i zhvillimit, pasi që rrit investimet kapitale dhe krijon mundësi për rritje ekonomike duke u bazuar në sektorin privat.

Ndërkaq, duke folur për kritikat e disa përfaqësuesve politik se ky projektbuxhet nuk është i realizueshëm, ai ka thënë se të kundërtën e kanë argumentuar hartuesit e buxhetit, parametrat real ekonomik si dhe vet Fondi Monetar Ndërkombëtar.

Sokol Havolli, po ashtu, tha borxhi publik i paraparë në këtë buxhet është nën shkallën e lejueshme dhe se ai është paraparë për investime kapitale e jo për destinime të tjera dhe si i tillë do të ketë impakte të konsiderueshme në rritjen ekonomike duke mos rënduar as financat për vitet e ardhshme.

Në këtë debat ishte edhe eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, i cili shpalosi vërejtjet dhe vlerësimet e tij për këtë projekt buxhet.