Bordi AKP-së miratoi raportin për shitjen e banesave
Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit mbajti mbledhjen e radhës, ku u diskutuan çështje të shumta të përcaktuara me rendin e ditës dhe u morën vendime të rëndësishme në lidhje me administrimin e ndërmarrjeve shoqërore në vend. Bordi ka miratuar valën e re të shitjes së aseteve të NSH-ve përmes likuidimit, SHAL 29, e cila është planifikuar të shpallet me datën 20 janar 2017 dhe dita e shitjes do të mbahet me 22 shkurt 2017. Kjo valë përfshin 57 asete në rajone të ndryshme të Kosovës.
“Në këtë mbledhje Bordi miratoi edhe Planin e Punës së AKP-së për vitin 2017 duke paraparë 12 valë të shitjeve të aseteve për vitin 2017, raporton zëri.info. Bordi po ashtu miratoi edhe organogramin e ri të Agjencisë duke mundësuar kështu një dinamikë të re për të ardhmen. Ky përkushtim pasqyron zotimin e Bordit dhe Menaxhmentit të AKP-së për përshpejtim të procesit të privatizimit dhe likuidimit me qëllim të arritjes së objektivave dhe realizimit të mandatit ligjor të AKP-së.
Veç kësaj, Bordi miratoi të gjitha transaksionet e SHAL 27 të mbajtur më 7 dhjetor 2016 ku u shitën 49 asete me shumë prej 5,840,724 euro”, thuhet në komunikatë, raporton zëri.info. Ndër të tjera, Bordi miratoi edhe raportin e Komisionit për Shitje të Banesave, me gjithsej 24 kërkesa të shqyrtuara. Po ashtu, Bordi vendosi të fillojë likuidimin e 12 ndërmarrjeve shoqërore si dhe aprovoi raportet e shpërndarjes së përkohshme për kreditorët e kualifikuar të 3 ndërmarrjeve shoqërore si në vijim: NSH “Suhareka” NPJA; NSH “Ekonomia”, “Peshkatari” dhe NSH “Shah Kosova”, në shumë prej 1,378.365 euro.
“Gjatë kësaj mbledhjeje, Bordi i Drejtorëve dha pëlqimin për regjistrim/bartje në librat kadastralë të pronës së KBI “Ereniku”, në përputhje me vendimin përfundimtar të Qeverisë së Kosovës për shpronësim me numër 07/110, në mënyrë që të mundësohet fillimi i punëve për ndërtimin dhe realizimin e projektit “Ngrohtorja e Re e Qytetit në Gjakovë”, me fondet e IPA-së. Po ashtu, Bordi miratoi edhe rezultatet e ofertimit për qiradhënie të një numër asetesh, sipas shpalljes publike të datës 21 tetor 2016”, thuhet në komunikatë, raporton zëri.info / Zëri