Delegacioni i BQK-së përfundon pjesëmarrjen në takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së

Delegacioni i BQK-së përfundon pjesëmarrjen në takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së

Ekonomia April 14, 2019 - 17:06
Lexo Detajet

Delegacioni i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) i udhëhequr nga guvernatori Fehmi Mehmeti, ka përfunduar pjesëmarrjen në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Washington.

Në ditën e fundit të qëndrimit, Mehmeti ka marrë pjesë në diskutimet e guvernatorëve dhe ministrave të Evropës Qendrore dhe Lindore lidhur me perspektivën ekonomike rajonale të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Gjithashtu, gjatë ditës së fundit, përfaqësuesit e BQK-së kanë marrë pjesë në mbledhjen plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së.

Gjatë qëndrimit në Washington dhe pjesëmarrjes në sesionet plenare, delegacioni nga BQK i kryesuar nga guvernatori Mehmeti, kanë takuar drejtues të lartë të FMN-së dhe të BB-së, nga të cilët kanë marrë mbështetje në realizimin e objektivave të BQK-së në mbështetje të zhvillimit të vendit.

Përveç takimeve me ekipin e misionit të FMN-së për Kosovën, Mehmeti ka takuar edhe zëvendësdrejtorin e FMN-së, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite.

Në këtë takim, Zhang konfirmoi përkrahjen e mëtejme për BQK-në dhe Kosovën.

Delegacioni i BQK-së në takime të ndara, është takuar edhe me zëvendësdrejtorin e BB-së, Cyril Muller dhe me drejtoreshën e BB-së për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder, ku u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin financiar dhe projektet që kanë të bëjnë me asistencën teknike të Bankës Botërore.

Gjatë takimeve vjetore, BQK ka marrë përkrahje nga Departamenti i FMN-së për Evropë lidhur me asistencën teknike të FMN-së për BQK-në për zbatimin e projekteve dhe rekomandimeve të mundshme që do dalin nga procesi i Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar.

Në kuadër të takimeve vjetore në Washington, delegacioni i BQK-së ka marrë pjesë në takimin hapës të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në takimet e ndara të Konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është edhe Kosova.

Takimet vjetore të Bordit të Guvernatorëve të FMN-së dhe të grupit të BB-së, për çdo vit sjellin së bashku bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë botërore, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror.