Gastronomët shprehin shqetësime për masat e fundit, paralajmërojnë protesta para Qeverisë

Gastronomët shprehin shqetësime për masat e fundit, paralajmërojnë protesta para Qeverisë

Ekonomia July 20, 2020 - 16:02

Gastronomia në Kosovë vazhdon të ndihet e kërcënuar nga falimentimi për shkak të ekonomisë së vendit.

Sot gastronomët kanë organizuar një konferencë për media, ku kërkuan përgjegjësi nga shteti për këtë çështje, raporton “Zeri.info”.

Kryetari i kësaj shoqate, Petrit Kllokoqi, gjatë kësaj konference deklaroi se në këtë prag të falimentimeve të këtyre bizneseve nga Qeveria kërkohen subvencione financiare, lirim i qirave dhe riprogramim i kredive, shtyrje e kredive për së paku 3 muaj dhe ulje e TVSH-së.

“Na jena në prag të falimentimeve, janë shumë që janë tu i mbyll bizneset dhe ka shumë që i kanë mbyllë, po kërkojmë subvencione financiare, lirim të qirave me 50 për qind, riprogramim të kredive, shtyrjen e pagesës për së paku 3 muaj, kërkojmë edhe uljen e TVSH-së”, deklaroi Kllokoqi në emër të gastronomëve.

Ai kërkoi nga Qeveria një bashkëbisedim për riprogramimin e masave të lokaleve, pasi sipas tij nuk është e drejtë të jetë për të gjitha lokalet masa e njëjtë për 50 persona, pasi jo të gjitha lokalet e kanë hapësirën e njëjtë.

“ I kërkojmë bashkëpunim Qeverisë dhe për riprogramim të lokaleve, për neve 50 persona me qenë në një lokal është gabim, sepse ka lokale me metra katrorë më pak e njerëz të njëjtë”, deklaroi ai, raporton “Zeri.info”.

Ai e ka quajtur ndihmën e shtetit të “zbehtë”, duke theksuar se të gjitha përgjegjësitë ndaj ATK-së i kryejnë me rregull.

“Të na ofrojnë ndihmën, gastronomët janë të parët që i mbyllën lokalet dhe i hapën të fundit. Ne sot jemi mbledhur për të kërkuar atë që na takon, ne kemi qenë përgjegjës ndaj shtetit dhe ATK-së, ndërsa sot shteti ndaj neve është shumë i zbehtë”, potencoi tuje ai.

Në fund tha se nëse Qeveria nuk merr masat e duhura, gastronomët do t’i mbyllin lokalet dhe do të nisen te Qeveria e Kosovës. /Zëri