Gjatë shkurtit mërgata dërgoi në Kosovë rreth 88 milionë euro
Foto: Zëri / Ilustrim

Gjatë shkurtit mërgata dërgoi në Kosovë rreth 88 milionë euro

Ekonomia March 28, 2024 - 11:43

Rreth 88 milionë euro është vlera preliminare e dërgesave të mërgatës që janë sjellë në Republikën e Kosovës për muajin shkurt 2024.

Kështu thuhet në statistikat e remitancave dhe institucioneve tjera financiare për këtë periudhë, të publikuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), duke shtuar se vlera totale e tyre, sipas vlerësimeve preliminare, ka arritur në 174.3 milionë euro.

Sipas raportit, prurjet më të mëdha të remitancave ishin nga institucionet financiare jo-bankare, me pjesëmarrje prej 64.4 %, pasuar nga kanalet tjera me 19.7 % dhe bankat me 15.9 %.

Sa u përket aseteve të kompanive të sigurimit, BQK-ja tregon se deri në këtë muaj vlera e tyre ishte 312.7 milionë euro, duke shënuar rritje prej rreth 600 mijë euro krahasuar me janarin e 2024-s.

Ndërsa, asetet e fondeve pensionale kanë arritur vlerën e 2.8 miliardë euro, e cila përfaqëson rritje për 46.5 milionë euro.

Në fund, BQK-ja tregon se asetet e ndërmjetësve të tjerë financiarë në fund të muajit shkurt 2024 janë rritur për 15.1 milionë euro, duke arritur vlerën e 555.2 milionë eurove.