Bizneset ankohen për vonesat në trajtimin e rasteve në Gjykatën Komerciale

Bizneset ankohen për vonesat në trajtimin e rasteve në Gjykatën Komerciale

Ekonomia April 29, 2024 - 12:30

Problemet e bizneseve me procedurat e përmbarimit, numri i ulët i gjykatësve, si dhe vonesat në trajtim të rasteve në Gjykatën Komerciale ishin disa nga çështjet e diskutuara në takimin e realizuar ndërmjet përfaqësuesve të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë me zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Zana Beqiri, drejtore e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, falënderoi zëvendësministrin Sallahu për takimin dhe theksoi që një ndër ankesat, e cila ka të bëjë me mosfunksionimin e përmbaruesve si rrjedhojë e mundësisë së ankesës në Gjykatë nga ana e bizneseve, ani pse ekziston si dëshmi kontrata dhe fatura e rregullt e nënshkruar nga po ata, njofton zyra për informime e DHTIK-së.

Ndërsa sipas Mazllum Baraliut, konsulent në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, vlerë e shtuar për DHTIK-në, është komuniteti i bizneseve që ajo përfaqëson, prandaj është më se e nevojshme që të përfshihet në grupet punuese për Projektligjin për Përmbarim, ashtu që në draftin final të merren në konsideratë dhe të përfshihen edhe komentet e bizneseve vendore.

“Ai tutje shtoi që Dhoma e Tregtisë që në fazën e hartimit të Ligjit për Gjykatën Komerciale ka rekomanduar që duhet të parashihet numër më i madh i gjykatësve, mungesa e të cilëve sot po ndikon që lëndët e kësaj Gjykate të kenë dinamikë të ulët të trajtimit”, thuhet në njoftimin e DHTIK-së.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, theksoi që bashkëpunimi me komunitetin e bizneseve është i domosdoshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë do të sigurohet që draftet finale të ligjeve të jenë gjithë përfshirëse.

Sipas zëvendësministrit Sallahu, Ministria e Drejtësisë është duke trajtuar këto çështje, me theks të veçantë problemin e përmbaruesve, ndërsa për rastet e shumta dhe të pa trajtuara në Gjykatën Komerciale shtoi që aktualisht është duke u finalizuar Ligji për Gjykatën Administrative e që në mënyrë direkte do të ndikojë në uljen e rasteve të Gjykatës Komerciale.