Rriten çmimet e pronave të banimit në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Rriten çmimet e pronave të banimit në Kosovë

Ekonomia March 06, 2026 - 14:42

Çmimet e pronave të banimit në Kosovë kanë shënuar rritje gjatë tremujorit të katërt të vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Sipas Indeksit të Çmimeve të Pronave të Banimit (IÇPB), çmimet u rritën me 5,5% në TM4 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Po ashtu, një rritje e njëjtë prej 5,5% është shënuar edhe në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2025.

Të dhënat statistikore tregojnë se gjatë gjithë vitit 2025, çmimet e pronave të banimit në Kosovë kanë shënuar rritje mesatare vjetore prej 4,9%, krahasuar me vitin 2024.

Sa i përket ndarjes sipas rajoneve, rritja e çmimeve është regjistruar si në kryeqytet ashtu edhe në pjesët e tjera të vendit. Në rajonin e Prishtinës, çmimet e pronave të banimit janë rritur me 4,9% në TM4 2025, krahasuar me TM4 2024. Ndërkaq, në rajonet e tjera të Kosovës, rritja ka qenë 4,3% në të njëjtën periudhë krahasuese.

Indeksi i Çmimeve të Pronave të Banimit publikohet rregullisht nga ASK-ja dhe përdoret për të matur ndryshimet e çmimeve të banesave dhe shtëpive në tregun e patundshmërive në vend, me vit bazë 2018 = 100.

Në këtë publikim janë përfshirë gjithashtu edhe të dhënat për ndryshimet vjetore të indeksit për periudhën TM1 2019 – TM4 2025, si dhe vlerat e indeksit dhe ndryshimet tremujore për periudhën TM1 2018 – TM4 2025. /Zëri