Rama zëvendëson Sokol Havollin me Zyhrije Pllanën në krye të Drejtorisë së Investimeve Kapitale
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka emëruar në pozitën e Drejtoreshës së Investimeve Kapitale, Zyhrije Pllana, pozitë të cilën deri tash e ka mbajtur Sokol Havolli.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Rama përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook.
Rama ka shkruar se Pllana ka kontribuuar me profesionalizëm në procese kyç të kryeqytetit, kurse për Havollin ka uruar "suksese në rrugëtimin e tij profesional".
“Zyhrije Pllana emërohet në pozitën e Drejtoreshës së Investimeve Kapitale, duke marrë përsipër një rol të rëndësishëm në udhëheqjen dhe realizimin e projekteve zhvillimore. Me një përvojë të gjatë dhe të dëshmuar në Kryeqytet, znj. Pllana ka qenë pjesë e proceseve kyçe institucionale, duke kontribuar me profesionalizëm, përkushtim dhe integritet në shërbim të qytetarëve. Shprehim mirënjohje dhe besim të plotë në aftësitë e saj për të udhëhequr me sukses investimet kapitale dhe për të avancuar projektet me rëndësi strategjike”, ka shkruar ai. “Njëkohësisht, shprehim falënderimin dhe mirënjohjen tonë për Sokol Havolli për kontributin e tij, përkushtimin dhe punën e palodhur gjatë ushtrimit të kësaj detyre deri tani. Havollit i dëshirojmë suksese të mëtejshme në rrugëtimin e tij profesional”, ka shkruar Rama në Facebook.