Delegacioni tatimor nga Bosnjë dhe Hercegovina viziton ATK-në, diskutohen reformat dhe digjitalizimi
Drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, së bashku me bashkëpunëtorët e tij ka pritur në takim një delegacion nga Administrata Tatimore e Bosnjë dhe Hercegovinës, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimit të përvojave profesionale në fushën tatimore.
Delegacioni përbëhej nga Admir Omerbasic, ushtrues detyre i Drejtorit të Administratës Tatimore të Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Sabahudin Ibrahimagic, udhëheqës i Zyrës Kantonale Tatimore të Zenicës dhe Muamer Dautbegovic, udhëheqës i Sektorit për Inspektime, Njoftime dhe Hetime.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e të dy institucioneve diskutuan për tema me interes të përbashkët, përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar tatimor, menaxhimin e borxheve tatimore, si dhe procesin e digjitalizimit dhe zhvillimet teknologjike në Administratën Tatimore të Kosovës.
Po ashtu, u prezantuan praktikat dhe përvojat institucionale të secilës administratë, me theks të veçantë në avancimin e proceseve tatimore, rritjen e efikasitetit operacional dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në administrimin tatimor.
Përfaqësuesit e ATK-së vlerësuan rëndësinë e shkëmbimit të përvojave rajonale dhe ndërtimit të partneriteteve profesionale, të cilat ndikojnë në modernizimin e administratave tatimore dhe përmirësimin e shërbimeve për tatimpaguesit.
Vizita u cilësua si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tatimore të Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe identifikimit të praktikave më të mira në administrimin tatimor dhe transformimin digjital. /Zëri