Merr fund rezistenca e armatosur, arrestohet vrasësi i policit

Kronika September 02, 2016 - 19:32
Është arrestuar pas disa orë rezistencë të armatosur ndaj forcave të rendit shtetasi David Qosja, i akuzuar për vrasjen e një efektivi të FNSH-së paraditen e kësaj të premteje.
 
Pas orësh të tëra përpjekjesh, forcat e policisë, të ndihmuara nga repartet RENEA kanë ndërhyrë me një autoblindë dhe gaz lotsjellës për të ndaluar vrasësin, i cili ishte mbyllur në banesën e tij.

Në vendin e ngjarjes, për të mbikëqyrur dhe koordinuar operacionin ka qenë i pranishëm edhe nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e paradites, kur Qosja, i njohur në zonë si person me probleme mendore por i padokumentuar si i tillë, nisi të qëllonte në ajër me automatik.

Të alarmuar, banorët lajmëruan policinë dhe menjëherë drejt vendit të ngjarjes u nisën efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilat u gjendën nën breshërinë e plumbave të qëlluar nga autori. Për pasojë gjeti vdekjen efektivi Ardian Kodra, 50 vjeç./top-channel.tv