Raporti i DASH: Në Shqipëri trafikohen femra për seks dhe punë të detyruar

Kronika June 27, 2017 - 23:19

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin e qenieve njerëzore vë në pah se Shqipëria nuk përmbush kushtet minimale për eliminimin e trafikimit.

Në raport theksohet se, viktimat e huaja nga vendet e Evropës, Filipinet dhe Nigeria janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar në Shqipëri. Migruesit e paligjshëm nga Azia, po punësohen shpesh në familjet e kamura duke u bërë të brishtë përballë punës së detyruar.

Shqipëria

Sikundër është raportuar gjatë pesë viteve të fundit, Shqipëria mbetet vend burimi, vend kalimtar dhe destinacioni për burrat, gratë dhe fëmijët në trafikun e seksit dhe në punën e detyruar. Gratë dhe fëmijët shqiptarë janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar posaçërisht gjatë sezonit turistik. Trafikantët përdorin premtime të rrejshme, siç janë martesat apo vendet e punës për t’i detyruar viktimat të përfshihen në këtë trafik.

Ata po përdorin gjithnjë e më shumë mediet sociale për rekrutimin e viktimave. Fëmijët përdorën për lypësi dhe punë të tjera si tregtizat e vogla. Fëmijët, kryesisht të komunitetit rom shfrytëzohen në Turqi për punë sezonale. Ka pasur raste kur fëmijët janë shfrytëzuar në fushat e kanabisit. Viktimat shqiptare janë subjekte të trafikut të seksit gjithandej Evropës, posaçërisht në Kosovë, Greqi, Itali dhe Mbretërinë e Bashkuar. Viktimat e huaja nga vendet e Evropës, Filipinet dhe Nigeria janë subjekte të trafikut të seksit dhe punës së detyruar në Shqipëri. Migruesit e paligjshëm nga Azia, po punësohen shpesh në familjet e kamura duke u bërë të brishtë përballë punës së detyruar.

Qeveria e Shqipërisë, thuhet në raport, nuk i përmbushë plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit; por, po bën përpjekje të dukshme për ta bërë këtë. Qeveria po demonstron shtim përpjekjesh në krahasim me të kaluarën duke ndjekur dhe dënuar më shumë trafikues dhe duke shfrytëzuar për herë të parë “fondin e posacëm” për mbrojtjen e viktimave që është ngritur nga pasuritë e konfiskuara nga trafikantët. Megjithatë, qeveria nuk i ka përmbushur standardet minimale në disa fusha themelore. Policia vazhdoi të shfaqë një mirëkuptim të kufizuar të trafikimit të qenieve njerëzore dhe në disa raste dështoi të identifikojë viktimat e trafikimit në mesin e individëve të përfshirë në prostitucion të detyruar ose robëri shtëpiake. Qeveria hetoi dy viktima dhe dënoi një viktimë për veprime të paligjshme të kryera si rezultat i nënshtrimit ndaj trafikimit, edhe pse ligji i përjashton viktimat nga ndëshkimi për krimet e kryera si rezultat i shfrytëzimit të tyre. Raporti i rekomandon Shqipërisë që të zbatojë ligjin që përjashton viktimat nga dënimi në raste të tilla; të trajnojë policinë, inspektorët e punës dhe zyrtarët e tjerë për identifikimin e viktimave; të vazhdojë që hetojë, ndjekë dhe dënojë fuqishëm trafikantët; të shtojë mbrojtjen e viktimave nga frikësimet dhe kërcënimet gjatë proceseve gjyqësore duke lehtësuar përfshirjen në programet e mbrojtjes së dëshmitarëve dhe të zgjerojë trajnimin e prokurorëve që merren me viktimat – dëshmitarë; të shtojë fondet për Organizatat joqeveritare që strehojnë viktimat, të rrisë mundësitë e policisë kufitare dhe të mbrojë fëmijët në rrugë. Në raport thuhet mes tjerash se policia e shtetit hetoi 69 raste me 69 trafikantë të dyshuar në vitin 2016, krahasuar me 80 raste me 90 të dyshuar në vitin 2015. 29 nga të dyshuarit janë hetuar për trafik të fëmijëve dhe 48 për të të rriturve. Prokurorët kanë ndjekur 18 raste për dallim nga 15 sa ishin në vitin 2015, ndërsa gjykatat dënuan 24 trafikantë ndryshe nga 11 sa ishin dënuar në vitin 2015. Të gjithë ata morën dënime nga 2 deri në 5 vjet heqje lirie. Qeveria nuk ka raportuar për hetimin, ndjekjen apo dënimin e ndonjë zyrtari qeveritar për përfshirje në këtë dukuri. Në vitin 2016, tetë shqiptarë u arrestuan në Holandë, Gjermani, Greqi e Itali nën dyshimet për përfshirje në trafikim; tre nga të dyshuarit janë ekstraduar në Shqipëri. Ndërsa Shqipëria ekstradoi tetë trafikantë të huaj në Itali, Maqedoni dhe Moldavi. Organizatat Joqeveritare identifikuan 95 viktima të trafikimit, ndryshe nga 109 sa ishin në vitin 2015. Në strehimoret e Organizatave Joqeveritare u strehuan 75 viktima, ndërsa në ato shtetërore 30 syresh.