Vrasja e gjykatëses, ish-burri pranon krimin në Gjykatë

Kronika September 03, 2017 - 22:47

E vrau ish-gruan në një krim pasioni dhe nuk shfaqi asnjë fije pendese në gjykatë. Fadil Kasemi, pranoi para Gjykatës se e kishte vrarë Fildes Hafizin, nënën e dy fëmijëve të tij, e më pas ishte dorëzuar. 

Ai akuzohet për vrasje, rrëmbim personi dhe armëmbajtje dhe sipas ligjit dënohet me burgim të përjetshëm duke mos u pranuar gjykimi i shkurtuar. 

Fadil Kasemi nën akuzë për vrasjen e ish-bashkëshortes Fildes Hafizi është i akuzuari i parë pas ndryshimeve ligjore të Reformës për Drejtësi, ndaj të cilit nuk do të aplikohet gjykimi i shkurtuar për shkak se krimi në familje tashmë dënohet me burg përjetë.

I vetmi moment kur 53-vjeçari theu heshtjen ishte çasti kur prokurori lexoi tre akuzat ndaj tij mes tyre edhe atë të pengmarrjes së Klodian Tafës, të cilin e kërcënoi se do ta vriste nëse nuk e largonte nga vendngjarja. 

“Vrasjen dhe armëmbajtjen i pranoj, por rrëmbimin jo. U dorëzova vetë”, u shpreh Kasemi, qetësia e të cilit ka lënë pa fjale edhe avokatin që i caktoi shteti. Siç rezulton martesa e çiftit, prindër të dy fëmijëve  mori fund me kërkesë të të ndjerës në maj 2015. 

Dy muaj më pas ish-partneri tentoi ta vriste njeriun me të cilin kishin ndarë së bashku  më shumë se 15 vjet.  

Fildes Hafizi shfaqet po ashtu e palumtur dhe e shqetësuar edhe në tetor 2016, në ditën e saj më të rëndësishme profesionale për të cilën ishte përpjekur shumë, ajo e diplomimit si magjistrate.

Përveç dëshmitareve okularë të cilët kanë pare se si u qëllua me arme 39-vjeçarja menjëherë sapo doli nga një sallon bukurie, prokuroria do të pyes edhe të afërm të saj të cilët janë në dijeni të kërcënimeve të herëpashershme ndaj saj.