Vrasja e Aulon Zekës, reagon Prokuroria

Kronika September 17, 2017 - 21:21

Pas arrestimit nga Policia e Kosovës të dy personave të mitur, mbi dyshimet për përfshirje në vrasjen e 16-vjeçarit Aulon Zeka, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar marrjen e tyre në pyetje.

Një mashkull dhe një femër aktualisht po intervistohen, mbi dyshimet e bazuara për ndërlidhjen e tyre me rastin në fjalë, ka bërë të ditur prokurori Valdet Gashi, në një prononcim për Gazetën Express.

Prokurori po ashtu ka treguar se edhe disa fotografi, të publikuara në rrjetet sociale, që mund të përbëjnë dëshmi për përfshirjen e supozuar të dy të arrestuarve në rastin e vrasjes së Zekës, po analizohen në kuadër të hetimeve.

Gashi ka thënë për Express se, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, pa përfunduar marrja në pyetje e dy të arrestuarve, nuk mund të jepet asnjë informacion tjetër rreth tyre.

Dy të dyshuarit janë arrestuar nga Policia e Kosovës në orët e mbrëmjes së të dielës.

Me rekomandim të Prokurorit të Shtetit, dy të arrestuarit janë dërguar në Qendrën e mbajtjes për 48 orë, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci.