Vrasja e policëve në vitin 2004: Katër të akuzuar para Gjykatës, detaje nga seanca e sotme

Kronika October 12, 2017 - 18:51

Për krimin që u krye para 13 viteve, sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës dolën para trupit gjykues, Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri. Më 23 mars të 2004’ës këta të akuzuar dyshohen se kanë vrarë një pjesëtar të UNMIK’ut dhe një të Policisë së Kosovës, duke shtënë me kallashnikov drejt veturës së tyre 108 herë. Lidhur me këtë ngjarje, Prokurori i EULEX’it Danilo Cicarelli kishte ngritur aktakuzë kundër tyre në korrik të këtij viti. Gazeta Express ka përcjellë gjykimin e kësaj çështje dhe sjell ato që u thanë gjatë seancës gjyqësore, si nga trupi gjykues, ashtu edhe nga mbrojtja e të akuzuarve

Prokurori i EULEX’it, kishte ngritur aktakuzë për vrasjen e 2004’ës, ndaj këtyre personave. Njëri nga të akuzuarit, Bedri Krasniqi, tashmë është duke vuajtur dënimin për dy vrasje të tjera të dy pjesëtarëve policorë të Kosovës; Sebahate Tolaj dhe Isuf Haklaj, në vitin 2003.  Për këtë vrasje, Krasniqi ishte dënuar me 27 vjet burg. Mirëpo, i njëjti kishte qenë në krye të grupit që kidnapuan pronarin e fabrikës “Gllareva” Azem Morinën. Kjo ngjarje ndodhi më 2010 dhe për kidnapim Krasniqi u dënua me 17 vjet burg.

Në këtë rast implikohet edhe një i dënuar tjetër, por të cilin EULEX nuk e ka përfshirë në aktakuzë, pasi që i njëjti tashmë po vuan dënimin e caktuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 9 nëntor të 2007’ës, për po të njëjtën vrasje. Bëhet fjalë për Shkumbin Mehmeti, një vrasës i penduar që ka vite që ka filluar të bashkëpunojë me Prokurorinë. Ai ka pranuar se ka marrë pjesë në vrasje, kontrabandim të lëndëve narkotike, hajni, eksplodime e kidnapime.

Mehmeti, ish-pjesëtar i UÇK’së dhe SHPK’së, prej marsit të vitit 2004 është në burg për vrasjen e policit të UNMIK’ut, Possible Essuman dhe policit të Kosovës, Arsim Rrustolli. Po për këtë vrasje Gjykata e Qarkut në Prishtinë atë e shpalli fajtor më 9 nëntor të 2007’ës, ndërkohë që dënimin prej 30 vjetësh  është duke e vuajtur në burgun e sigurisë së lartë në Gërdovc.

Aktakuza e prokurorit të EULEX’it, shpjegon se si ka ndodhur ky sulm ndaj veturës së Policisë së UNMIK’ut para 13 vjetësh. Më 23 mars 2004 pjesëtarët e këtij grupi ishin në fshatin Shtedime të Podujevës, ku Agron Sylejmani (tani i ndjerë) bëri planin për të zënë në pritë një veturë të UNMIK’ut.

Aktakuza, në të cilën akuzohen Bedri Krasniqin, Alban Dizdari, Bajram Kiqmarin dhe Faik Shaqirin, është e mbështetur kryesisht në dëshminë e Shkumbin Mehmetit, i cili ishte pjesë e këtij grupi. Së bashku me Mehmetin, këta katër të akuzuar dyshohet se janë përgjegjës për vrasjen e policit të UNMIK’ut, Possible Essuman, si dhe vrasjen e zyrtarit të Policisë së Kosovës, Arsim Rrustolli.

“Dy nga kryesit kishin dalë nga vetura Suzuki disa metra larg rrugë katër të tjerët e rrethuan veturën, njëri nga kryesit i bërtiti në drejtim të veturë për të ndaluar së pari në serbisht e më pas edhe në shqip”, thuhet në aktakuzë.

Me të filluar seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës, derisa të gjithë të akuzuarit kishin avokatët e tyre, i dënuari me burg, Bedri Krasniqi, nuk pranoi të përfaqësohet nga avokatja të cilën ia kishte caktuar gjykata në bashkëpunim me Odën e Avokatëve.

Pika e parë e aktakuzës thotë se këta të dyshuar kanë shtënë me kallashnikov 108 herë në drejtim të veturës dhe katër pasagjerëve të saj. “Sulmi ndaj veturës së UNMIK’ut kishte ndodhur rreth orës 21:45 nga një veturë e tipit Suzuki”.

Gazeta Express ka përcjellë shqyrtimin e parë sa i përket kësaj çështje dhe sjell ato që u thanë gjatë seancës gjyqësore, si nga trupi gjykues, ashtu edhe nga mbrojtja e të akuzuarve.

Bedri Krasniqi

Pas leximit të aktakuzës, i akuzuari për këtë rast dhe i dënuari me burg për vrasjen e dy policëve kosovarë në 2003’ës, Bedri Krasniqi nuk e pranoi fajësinë, kur u pyet nga gjykatësi Arben Hoti se a i pranon krimet për të cilat prokuroria e EULEX’it e akuzon. I njëjti gjatë leximit të aktakuzës, nuk u ngrit në këmbë edhe pse iu kërkua, pasi që sipas tij “që 15 vjet po bëhet hajgare”.

“Nuk e pranoj mbrojtjen e as nuk du me tentu mu mbrojtë vetë”, tha Krasniqi kur gjykatësi i rastit Arben Hoti i tregoi se ia kanë caktuar për mbrojtje një avokate.

Ai tha se jo vetëm që nuk do avokat për këtë çështje, gjithashtu ceki se mundet që gruaja e tij të xhelozojë nëse ai pranon të ketë avokate, por gjithashtu tha se asnjë avokat nuk po i ndihmon. Kjo ishte njëra ndër arsyet qe Krasniqi nuk dëshiron të mbrohet nga askush.

Seanca e së enjtes, ishte në shqyrtim fillestar, andaj u lexua vetëm aktakuza nga prokurori i EULEX’it që e ngriti atë, dhe u lejua që mbrojtja të thotë fjalën e vet. Bedri Krasniqi, Alban Dizdari, Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri ishin këta të akuzuarit të ishin prezent sot në gjykim në Themelore.

Para se të lexohej aktakuza, avokati i Bajram Kiqmarit kërkoi që ndaj të mbrojturit të tij dhe të akuzuarit tjetër, Faik Shaqiri të mos vazhdohet ndjekja penale, ngase sipas tij çështja e dy të akuzuarve është tashmë e gjykuar. Ai tha se për këtë çështje ekziston një vendim i Gjykatës Supreme.

Ndërsa, prokurori italian Cicarella tha se qëndron mbrapa aktakuzës që e ka ngritur vetë kundër këtyre të pandehurve, derisa bëri një cilësim për vendimin e Gjykatës Supreme.

Cicarelli tha se asnjëherë më parë nuk kishte parë një vendim i tillë, që një person nuk mund të gjykohet dy herë për veprime të ndryshme në një rast penal.

“Vendimi i Gjykatës Supreme është turp i madh për procesin gjyqësor. Në karrierën time, kurrë s’kam parë diçka të tillë, kjo është hera e parë në histori”, tha prokurori i EULEX’it.

Mirëpo, menjëherë pas kësaj deklarate të prokurorit special, u ngrit avokati i Bajram Kiqmarit tha se deklarata e prokurorit është tejet ofenduese.

“Unë shpreh dëshpërimin tim profesional lidhur me këtë qëndrim tejet ofendues nga ana e prokurorit të EULEX’it, në raport me ofendimet që ia bëri Supremes. Të ofendohet në atë nivel aq të rëndë, që vendimi është i turpshëm, kjo nuk guxon të ndodhë. Këtë ofendim e dëgjojmë nga prokurori i EULEX’it, i cili për mision ka sundimin e ligjit dhe kjo që e tha për Supremen është e dhimbshme dhe mjeruese”, u deklarua avokati i të akuzuarit Bajram Kiqmari, derisa shtoi se prokurori që nga fillimi i këtij procesi “pati një tendencë të paparë që me çdo kusht Kiqmari të arrestohet, paraburgoset e dënohet”.

Megjithatë, avokati ofroi një dëshmi për mbrojtjen e Kiqmarit, ku tha se nuk ishte vetëm vendimi i fundit i Gjykatës Supreme që thotë se ndjekja penale është e ndaluar për këtë të pandehur, por tha se ekziston edhe një aktvendim i gjyqtarëve të EULEX’it, i 26 qershorit të 2014’ës, në të cilën citoi se thotë se “ndjekja penale ndaj këtij të akuzuari është e ndaluar”. Krejt në fund ai u shpreh se nuk ka fakte se i akuzuari e ka kryer krimin.

“Po e shoh që aktakuza është ngritë mbi bazën e një dëshmitari dhe sipas bindjes sime, ai dëshmitar mund të jetë njeri i konstruktuar pasi që vepra, sipas aktakuzës u bë më 2004, kurse ndaj Albanit fillon më 2014’ën, e më pas arrestohet më 2017’ën”, tha avokati, duke thënë se aktakuza s’përbën dyshim të bazuar, shkruan Gazeta Express.

Seanca e radhës për këtë rast është caktuar nga gjyqtari Arben Hoti për 17 nëntor të këtij viti.

Kujtojmë se Gjykata e Qarkut e Prishtinës më 9 nëntor të 2007’ës, shpalli fajtor për terrorizëm vetëm Shkumbin Mehmetin, derisa i liroi nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin.

Bajram Kiqmari dhe Alban Dizdari u arrestuan në korrik të 2017’ës, derisa Faik Shaqiri për të njëjtat akuza, ishte arrestuar në Gjermani e më pas u ekstradua në Kosovë.

Bajram Kiqmari dhe Faik Shaqiri

Ndërsa, i dënuari me burg 30 vjet burg, Shkumbin Mehmeti, për vrasjen e pjesëtarëve të UNMIK’ut, më 6 shtator 2012 kishte shkruar një deklaratë të cilën e kishte deponuar në Prokurorinë serbe për Krime Lufte, në të cilën shpjegonte versionin e tij se si bashkë me grupin e tij, kishin kryer vrasjen e dy pjesëtarëve të misionit të OKB’së në Kosovë. Në deklaratën e tij, përmenden edhe dy të arrestuarit e EULEX’it dhe PK’së.

Në këtë implikim, hyn edhe Nazim Bllaca, veterani i UÇK’së dhe dëshmitarë i disa proceseve të rëndësishme të EULEX’it, i ka treguar Prokurorisë për Krime Luftë në Serbi se e ka rekrutuar Shkumbin Mehmetin. Në disa komunikime që Express i ka siguruar në mars të 2016’ës në mes të Bllacës dhe Mehmetit, tregonte Bllaca se këtë të fundit po e përgatiste për ta dorëzuar tek prokuroria serbe.

Bllaca në këto komunikime që i posedon Express pretendon se Mehmeti mund të bëjë lidhjen në mes incidentit të famshëm të autobusit me serbë, i njohur si incidenti “Nish-Express”. Por, deklarata që ai do të depononte në prokurorinë serbe nuk jep dhe aq shumë lidhje. Ajo në përgjithësi tregon një incident kriminal në të cilin qe përfshirë Mehmeti dhe më vonë do të përfundonte në burg, ku edhe sot e vuan dënimin. /GazetaExpress/