Komuna reagon pasi dikush tentoi ti vë zjarrin shkollës “Meto Bajraktari” në Prishtinë
Mbrëmë në Shkollën “Meto Bajraktari” dy persona kanë tentuar t’i vënë zjarr objektit përmes hedhjes së lëndëve djegëse.
Komuna e Prishtinës në një reagim ka thënë se paraprakisht ishin thyer edhe dritaret e shkollës duke dëmtuar kësisoj pronën publike.
Ky akt është dënuar nga Komuna e Prishtinës, ndërsa kanë bërë thirrje të hetohet rasti dhe të zbulohen motivet e këtij akti, transmeton Zeri.info.
“E dënojmë ashpër këtë akt vandal dhe kërkojmë nga organet e rendit që të gjejnë kryesit e kësaj vepre dhe që ata të marrin dënimin e merituar nga organet e sistemit gjyqësor. Motivet e këtij akti duhet të zbulohen”.
“Drejtoria e Arsimit është në kontakt me Policinë e Kosovës, e cila është angazhuar për identifikimin e këtyre personave dhe do të na njoftojë së shpejti me rezultatet e hetimit”, thuhet në ragim.
Edhe Policia e Kosovës në raportin 24-orësh ka njoftuar për këtë rast.
“Raportohet se dy persona të panjohur, të maskuar, duke thyer dritaren e objektit të shkollës, kanë hedhur lëndë djegëse-benzinë dhe kanë tentuar t’ia vunë zjarrin, por pasi janë diktuar nga personeli i shkollës të dyshuarit janë larguar në drejtim të panjohur. Është njoftuar prokurori, rasti vazhdon të hetohet”, thotë Policia. /Zëri