Sulmohen policia e Kosovës dhe KFOR-i në Leposaviq, të dyshuarit i gjendet një xhaketë me emblemë serbe [foto]

Sulmohen policia e Kosovës dhe KFOR-i në Leposaviq, të dyshuarit i gjendet një xhaketë me emblemë serbe [foto]

Kronika May 06, 2024 - 15:04

Një person i ka sulmuar me shishe xhami automjetet zyrtare të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it amerikan në Leposaviq mëngjesin e së hënës, derisa po kryenin patrullime të përbashkëta.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 04:05 të mëngjesit.

“Më 06.05.2024, rreth orës 04:05, në rrugën e fshatit Miokovicë, gjatë patrullimit të përbashkët të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH) të Policisë së Kosovës, së bashku me KFOR-in amerikan, një veturë pa targa e tipit ‘Seat’ ngjyrë hiri ka bllokuar rrugën dhe më pastaj ka hedhur shishe xhami në drejtim të veturave zyrtare. I dyshuari pastaj ka ikur në drejtim të disa shtëpive afër në fshatë”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës ka shtuar se bashkë me KFOR-in kanë identifikuar shtëpinë dhe kanë kryer kontroll, ku është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, i cili ka pranuar se ka bllokuar rrugën dhe ka hedhur shishen.

“Gjatë realizimit të kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një xhaketë e ushtrisë me emblemë serbe. Vetura me të cilën është bllokuar rruga është sekuestruar, i dyshuari pas intervistimit nga njësia kompetente e hetimeve është liruar në procedurë të rregullt, përderisa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar”, thuhet në njoftim. /Zëri

Image