Policia shkoi për dhunë në familje, prizrenasit i gjeti në shtëpi arsenal armësh
Një rast i dhunës në familje është raportuar dje në fshatin Zojz të Prizrenit, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht gruan dhe djalin e tyre.
Njësitet policore menjëherë i janë përgjigjur rastit, duke lokalizuar, identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin XH.A. (viti i lindjes 1973), i cili dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje familjare e ka rrëzuar tavolinën e bukës dha ka lënduar gruan dhe djalin e tyre.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur një “AK-47”, dy granata dore, dy predha të raketahedhësit dhe katër fishekë, transmeton Zeri.info.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Sektori i hetimeve i stacionit policor Prizren ‘Veri’ gjatë hetimit të rastit ka gjetur prova se i dyshuari posedon edhe armë pa leje dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale këto armë::
• Një “AK47” - lloji i panjohur
• Dy granata dore - lloji i panjohur
• Një raketahedhës - lloji i panjohur
• Dy predha të raketahedhësit - lloji i panjohur
• Katër fishekë, kalibri i panjohur.
Prokurori i Shtetit ndaj të dyshuarit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë dhe ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal për veprat penale ‘‘Kanosje’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri