Maqedonia e Veriut arreston një person pas thirrjeve antishqiptare

Maqedonia e Veriut arreston një person pas thirrjeve antishqiptare

Kronika August 05, 2025 - 17:50

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se një person është arrestuar dhe disa të tjerë janë intervistuar në lidhje me thirrjet antishqiptare që u dëgjuan gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, të zhvilluar më 2 gusht.

Në mesin e thirrjeve të bëra nga tifozët vendas ishin: “Maqedoni e pastër”, “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma e gazit për shqiptarët”. Këto parulla u dëgjuan në prani të kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrit të Jashtëm Panço Toshkovski dhe zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç, të cilët ishin të pranishëm në ndeshjen e fundjavës.

Personi i arrestuar, S.M. (30), dyshohet se ka tentuar të sjellë në arenë pankarta me përmbajtje fyese.

Ministria ka thënë se policia do të jetë jashtëzakonisht rigoroze ndaj çdo shkeljeje të rendit dhe qetësisë publike, veçanërisht çdo thirrjeje ofenduese të bazuar në përkatësi kombëtare, etnike ose fetare.

“Kjo do të sanksionohet në mënyrën më të ashpër, pa asnjë tolerancë. Vetëm brohoritjet dhe brohoritjet e ndershme sportive mund të na sjellin sukses, fitore dhe gëzim sportiv”, thuhet nga Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshe, incidentin e kanë dënuar edhe udhëheqësit institucionalë në Kosovë dhe në Shqipëri. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vleruar se thirrjet anti-shqiptare në Kumanovë cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë.

Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA) ka njoftuar të hënën për Radion Evropa e Lirë se ka nisur një hetim për thirrjet anti-shqiptare të tifozëve maqedonas, ndërsa ka dënuar gjuhën e urrejtjes dhe çdo formë të diskriminimit racor apo etnik./albanianpost